Latifi: Ukshin Hoti na duhej dje, na duhet sot dhe do t’na duhet edhe nesër

Sot, në 20-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, në Prizren është mbajtur një akademi politiko-shkencore, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.

Latifi, në këtë akademi ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka elaboruar figurën dhe rolin patriotik të Ukshin Hotit në kundërshtimin e regjimit serb në Kosovë.

Fjala e Latifit ka nisur duke thënë ”Ukshin Hoti na duhej dje, na duhet sot dhe do t’na duhet edhe nesër”.

Fjalimi i plotë i kryetarit Latifi;

Fjala ime në akademinë politike-shkencore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti

Ukshin Hoti na duhej dje, na duhet sot dhe do t’na duhet edhe nesër

Të respektuar familjarë të atdhetarit, politikanit, filozofit e themeltarit të shtetësisë së Kosovës Ukshin Hoti, stuktura të pushtetit lokal e qendror, Kryeministër Ramush Haradinaj, Kryeparlamentar Kadri Veseli, veprimtarë e intelektualë të profileve të ndryshme, panelistë të respektuar, të nderuar të pranishëm, të vetëdijshëm për peshën morale e institucionale të përgjegjësisë që kemi, vendosëm të organizojmë këtë tryezë shkencore. Ndonëse jemi të bindur se nuk mund të themi krejt atë që ka dashur, synuar dhe idealizuar Ukshin Hoti. Profili i tij prej atdhetari të kulluar, humanisti, kryengritësi, prijës i mendimit të ri politik, udhërrëfyes drejt lirisë e dinjitetit njerëzor e kombëtar, na bën të ndjehemi borxhli përherë karshi jetës dhe veprimtarisë së tij.

Mbase nuk e kemi mbajtur mend mirë dhe vetëm shkarazi kemi kaluar figurën dhe veprën shkencore të Ukshin Hotit. Për zgjidhjen e çështjes shqiptare në rajon ai preferonte organizim dhe konsolidim të faktorit politik shqiptar, sepse karshi problemeve historike të trashëguara, (citim) “neve na duhet një politikë gjithëshqiptare” (fund i citatit). Ngase Ukshin Hoti potencon faktin se për zgjidhjen e çështjes shqiptare duhet nisur me avancimin e statusit të Kosovës në Republikë. Prandaj shkruante: (citim) “Republika e Kosovës, pastaj statusi i bartësit të shtetësisë për shqiptarët në Maqedoni, si dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve në Mal të Zi; paralelisht me proceset integrative në Evropë, do të duhej të krijonin kushtet e nevojshme për bashkimin e popullit shqiptar”, (fund i citatit).

Bazuar në këtë pikëpamje të profesorit Ukshin Hoti, kemi menduar që sot të ftojmë në këtë tryezë njohës së politikës ndërkombëtare dhe kombëtare nga vise të ndryshme shqiptare. Kjo tryezë fillimisht ishte ideuar të mbahet në komunën e tij, në Rahovec apo në vendlindje në Krushë të Madhe, mirëpo u vendos të mbahet në Prizren për disa arsye.

– Prizreni ka qenë qendra e lëvizjes më të madhe shqiptare për çlirim nga zgjedha osmane, lëvizje që për shumë kohë ka frymëzuar breza të tërë luftëtarësh e qëndrestarësh kombëtar;

– Konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, pra qytet ku unifikohen ndjenjat tona kombëtare dhe ku historia flet në çdo gurë kalldermi të këtij qyteti;

– Tempulli i dijes, Universiteti i Prizrenit, ku aktualisht jemi mban emrin e profesor Ukshin Hotit;

– Prizreni është vendi ku gjyqi serb e dënoi me pesë vite burg Ukshin Hotin në vitin 1994, dënim që do të vazhdojë ta vuajë edhe sot e kësaj dite;

– Prizreni është vendi ku të gjithë shqiptarët ndjejnë obligimin e papërmbushur, atë të bashkimit rreth idesë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të periudhës 1878-1881.

Janë këto disa nga arsyet që na mblodhën në këtë vend, ku mund të risjellim në kujtesë edhe një herë sakrificën dhe përkushtimin e atdhetarëve, siç është Ukshin Hoti.

Të nderuar të pranishëm!

Nëse rikthehemi prapa në histori vërejmë se shtypi serb i kohës, pra pas demonstratave studentore të vitit 1981, organizoi në fushatë të koordinuar kundër Ukshin Hotit dhe të gjithë intelektualëve të kohës, të cilët guxuan të vihen në mbrojtje të kërkesës së ligjshme për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë. Qarqet nacionaliste serbe e intensifikuan sulmin pikërisht mbi këtë shkencëtar të politikës, ngase aty e shihnin rrezikun e forcimit të rezistencës kundër hegjemonisë serbe. Argumentimi shkencor i Ukshin Hotit se Republikë do të thotë zhvillim, po dëshmohet edhe në ditët tona. Ndonëse ai kishte propozuar që kjo të bëhet në marrëveshje mes dy popujve, serbëve dhe shqiptarëve, ngjarjet që pasuan do t’i japin të drejtë plotësisht argumentit shkencor politik të Hotit. Pra, regjimi serb, atëherë dhe tani, ka frikë nga forca e argumentit. Të vërtetat e mbuluara, fabrikimet, kurthet dhe kurdisjet e dëshmive dhe të dëshmitarëve, janë dëshmi e një epoke të vështirë për shqiptarët. Vetëm Ukshin Hoti do të jetë ai që do të qëndrojë vertikalisht dhe i bindur në të drejtën e vet dhe në të drejtën e popullit të tij për liri e demokraci. Dënimin dhe izolimin e tij ai do ta kuptojë ndërkohë. Pohon se ishte dënuar nga qarqe që kishin frikë nga shqiptarët, pra nga “shqiptarofobët” dhe mendjet e ndritura e largpamëse përbënin rrezik për ruajtjen e dominimit serb mbi shqiptarët. Po e citoj shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare, i cili do të shkruajë: “Ka qenë tragjedi e vjetër e popujve ballkanas, veçanërisht e shqiptarëve, përpjekja për t’i mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli, apo shteti, njerëzit më të zotë. Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjikë e mediokritetit, i ka shkaktuar e me sa duket do t’i shkaktojë ende dëm të ndjeshëm çështjes shqiptare”. (fund i citatit). Për shkak të botëkuptimeve të tij për realitetin politik, ekonomik e social, ai i vuajti pasojat, duke u njëjtësuar me idealet e popullit të tij. Konsiderohet mendje e integruar politike dhe pragmatike. Ishte qenie morale, me integritet personal e intelektual dhe konsekuent në pikëpamjet e tij për çështjet nacionale në ish Jugosllavi. Promovimi i Demokracisë Autentike, të asaj demokracie që do të ishte e shoqërisë dhe jo e elitave, përbën thelbin e pikëpamjeve të tij për të ardhmen e Kosovës. (citim). Demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por kundër elitizmit , pra kundër elitës për hir të elitës (fund i citatit).

Konkurrenca e vlerave, barabarësia, kundër anarkisë, janë parimet e tij politike dhe pikëpamjet për ndërtimin e shtetit demokratik.

Janë këto disa nga pikëpamjet e profesorit universitar Ukshin Hoti që na obligojnë të ngrisim zërin e protestës dhe të kërkojmë me ngulm zbardhjen e fatit të tij. Serbët kanë vepruar në koordinim me hierarkinë, respektivisht elitat politike, ushtarake e policore, prandaj mënjanimi i Hotit nga skena politike është bërë me urdhër nga lart. Ata që sot ulen për të biseduar me autoritetet serbe duhet të kërkojnë me ngulm ndriçimin e të vërtetës për fatin e tij. Ne nuk guxojmë të mbetemi peng të historisë dhe duam të nderojmë e respektojmë vlerat tona, t’i nderojmë e vlerësojmë ata që janë shëmbëlltyrë për kombin tonë, sepse çdo popull ka udhëheqësit e vet politik e ushtarak dhe ka udhëheqësit moral që i prijnë në ardhmëri. Ukshin Hoti ishte ndër të paktit që kishte vizion dhe dije se si duhet ecur, prandaj na duhej dje, na duhet sot dhe do t’na duhet edhe nesër.

Reklama