Latifi u shpreh mirëseardhje bashkatdhetarëve: E gjallëruat Rahovecin

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur mirëseardhje për bashkatdhetarët, që kanë ardhur për vizitë në Rahovec për festat e fundvitit.

Latifi, ka shkruar se Rahoveci është gjallëruar nga ardhja e tyre kaq masive.

Po ashtu, ai ka thënë se dyert e komunës, por edhe dera e kryetarit, do të jenë të hapura për të kryer shërbime efikase administrative si dhe të bisedojë me vetë atë për çështjet në interes të komunës.

Latifi ka shkruar:

Mirë së erdhët, bashkatdhetarë!

Rahoveci është gjallëruar dhe është mbushur me atmosferë festive në prag të Vitit të Ri nga ardhja masive e bashkatdhetarëve, të cilët në këto ditë fundviti do të festojnë bashkë me familjet e shoqërinë e tyre. Kjo prani kaq masive e ka bërë më të bukur dhe më atraktive komunën tonë.

Të gjithë i gëzohemi pa masë dhe mezi e presim kohën e Vitit të Ri, për t’u çmallur me pjesën tonë që jeton jashtë vendit, prandaj organizohemi që t’i mirëpresim dhe trajtojmë me dashuri dhe respekt, duke e krijuar hapësirën dhe kohën e nevojshme përgjatë ditëve të pakta të tyre në Rahovec dhe Kosovë.

Dyert e Komunës së Rahovecit do të jenë të hapura dhe në funksion të secilit bashkatdhetar që ka nevojë për shërbime administrative, po ashtu edhe dera e zyres sime do të jetë e hapur për secilin që ka dëshirë të bisedojë me mua për çështjet që janë në interes të komunës e vendit tonë.

Ju dëshiroj pushime të këndshme, bashkë me familjet tuaja, dhe ia kalofshi më së miri!

Urime festat të gjithëve!

Reklama