Latifi shpall Ditë Zie të hënën pas aksidentit me tre të vdekur në Bërnjak

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi e ka shpallur Ditë Zie të hënën (29 korrik) për shkak të aksidentit fatal që ndodhi sot në Bërnjak, në rrugën Fortesë-Rahovec, ku të vdekur mbetën 3 persona, ndërkaq të lënduar rëndë 3 të tjerë.

Latifi i ka ngushëlluar edhe një herë familjet e viktimave.

“Në përputhje me kompetencat e mia si Kryetar i Komunës së Rahovecit, duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe gjithë qytetarëve, kam vendosur që të hënën, datë 29 korrik 2019, ta shpall Ditë Zie, pas aksidentit tragjik të ndodhur sot në Rahovec!

Me këtë rast, të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë”, ka shkruar Latifi.

RahoPress ka raportuar për aksidentin që ndodhi disa orë më herët.

Fillimisht kishte dy të vdekur, por viktima e tretë kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Qendrën Klinike Universitare ë Kosovës. /RahoPress/

 

Reklama