Latifi: Reçaku, tmerri dhe e vërteta e një populli

Në kuadër të një delegacioni të strukturave të AAK-së, për të bërë homazhe në Reçak, në 21 vjetorin e masakrës në këtë fshat, ka bërë edhe kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.

“Reçaku – tmerri dhe e vërteta e një populli”, e ka titulluar shkrimin e tij lidhur me Masakrën e Reçakut, Smajl Latifi.

Ky është shkrimi i plotë i Latifit:

REÇAKU – TMERRI DHE E VËRTETA E NJË POPULLI

Së bashku me një delegacion të strukturave drejtuese të Aleancës, aktivistë, deputetë e kryetar komunash, sot, bëmë homazhe në Reçakun e dhimbjes dhe krenarisë së pambarim, ku më pas u mbajt edhe një akademi përkujtimore në 21 – vjetorin e vrasjes dhe masakrimit të 45 shqiptarëve.

Për të 21-tin vit me radhë po bëhemi një – bashkë me dhimbjen e familjarëve e bashkëvendasve, bashkë me nyjen që na lidhet në fyt sa herë përmendet Reçaku – vendi i tmerrit, vendi që i dha jehonë mbarë Botës për gjenocidin dhe krimin që përjetoi si shpagim për këto ditë lirie.

Lot, mall, dhimbje për më të dashurit që u masakruan në formën më barbare, homazhe dhe fjalë ngushëlluese, sot, kishte Reçaku në përvjetorin e 21-të të masakrës që tmerroi Botën, ku u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Ky gjenocid, tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar. Ambasadori Ëilliam Ëolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

Por, akoma edhe sot e kësaj dite, masakra e Reçakut dhe masakrat anë e kënd Kosovës, për shtetin e Serbisë po vazhdojnë të mos pranohen dhe të cilësohen si të tilla. Është injorim total dhe shtrembërim i së vërtetës kur dihet që agresori i vërtetë dhe kryesi i krimeve ka qenë vet shteti i Serbisë i cili po vazhdon të luaj me ndjenjat e familjarëve dhe me gjakun e mijëra viktimave të pafajshme shqiptare.

Këto krime që arrijnë përmasat e gjenocidit janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe miliona shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve. Andaj, është e papranueshme heshtja dhe mohimi i krimeve, është shkelje e gjakut kur edhe 21 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime të bëra nga Serbia, nuk ka drejtësi.

Lavdi të rënëve për Liri!

Gjaku i tyre – dritë e udhërrëfim për brezat e rinj!

SL

Reçak – Shtime, 15 janar 2020

 

Reklama