Latifi: Qytetarët dhe bizneset të shqetësuar nga kriza energjetike, qeveria reagoi dobët

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për gjendjen e rëndë energjetike në vend, duke thënë se ditëve të fundit ka dëgjuar ankesat dhe pyetjet e shumta të qytetarëve lidhur me këtë krizë.

Megjithatë, Latifi ka thënë se qeverisja lokale ka rol të papërfillshëm në krijimin e politikave energjetike, duke thënë se ai do t’i drejtojë shqetësimet e qytetarëve dhe sipërmarrësve te niveli qendror.

“Edhe Rahoveci, sikurse e gjithë Kosova, është duke u përballur me kufizime të shpeshta të energjisë elektrike, për çka unë si kryetar i Komunës së Rahovecit, kam marrë dhjetëra pyetje e ankesa nga shumë bashkëqytetarë e drejtues biznesesh, të cilët janë të shqetësuar që në këtë kohë dimri ka mungesë të madhe të energjisë elektrike. Më duhet të sqaroj se situata energjetike po menaxhohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Ekonomisë, KEK-u, KOSTT-i dhe KEDS-i, ndërkaq qeverisjet lokale, deri tani, kanë pasur impakt të papërfillshëm në vendimet e strategjitë e krijuara për dalje nga kriza. Kjo nuk do të thotë që unë s’do t’i trajtoj shqetësimet e qytetarëve, përkundrazi – do t’i trajtoj me seriozitetin më të madh dhe do t’i përcjell tek autoritetet përgjegjëse në vazhdimësi”, ka shkruar Latifi.

Latifi ka kritikuar qeverinë Kurti për menaxhim të dobët të krizës, duke e sjell Kosovën në aplikim reduktimesh, si pasojë e mungesës së kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.

“Kjo situatë e krizës është paralajmëruar muaj më herët në Evropë e botë dhe shtetet e rajonit kanë bërë përgatitjet e nevojshme për t’u përballur me krizën që po vinte, duke i rritur kapacitetet dhe resurset e prodhimit të energjisë elektrike. Asnjë shtet i rajonit nuk është duke aplikuar reduktime sikur Kosova.  Qeveria e Kosovës reagoi ngathët dhe vonë për t’i evituar reduktimet. Avaritë e shkaktuara në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, e bënë edhe më të rëndë situatën, ndërkaq autoritetet energjetike të vendit dështuan ta parashikojnë rritjen e kërkesës për konsum të energjisë elektrike që ndodhi sivjet. Natyrisht, nuk mund të fajësohet qeveria jonë për krizën botërore të energjisë, por për menaxhimin e brendshëm të saj, padyshim se po”, ka shkruar Latifi.

Latifi ka thënë se qveria ka dështuar në këtë test. Ai ka kërkuar nga qeveria bashkëpunim më të ngushtë me qeverisjet lokale, për t’i dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe drejtuesve të bizneseve.

“Kjo qeveri ka dështuar të sigurojë energjinë elektrike sikurse shtetet e rajonit dhe Evropës, për shkak të neglizhencës, mosdijes dhe mungesës së vizionit për rritjen e kapaciteteve prodhuese dikur si opozitë dhe tani si qeveri. Si kryetari i Komunës së Rahovecit, kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë edhe me qeverisjet lokale dhe t’i mbrojë qytetarët e bizneset në rend të parë, për ta ruajtur mirëqenien dhe stabilitetin e ekonomisë, që mund të cenohen rëndë nëse furnizimi me energji elektrike nuk përmirësohet ditëve e javëve të ardhshme”, ka shkruar Latifi në fund.

Reklama