Latifi: Qeveria mori vendim të ngutshëm, fermerët rahovecas mund të dëmtohen

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat kundër pandemisë të cilat hyjnë në fuqi nga nesër, është i ngutshëm dhe i pakoordinuar me komunat.

Latifi ka thënë se nga këto masa, më së shumti do të dëmtohen fermerët, të cilët tanimë shumë produkte i kanë të gatshme për treg.

Kryetari ka thënë se mund të përsëritet situata e vitit të kaluar, kur për shkak të masave produktet bujqësore nuk u shitën dhe u shkaktuan dëme të mëdha, ndërkohë që ata nuk janë kompensuar ende për humbjet e tyre.

“Vendimi i Qeverisë për kufizimet shtesë është i ngutshëm dhe jo i koordinuar me komunat. Produktet e fermerëve tanë janë të gatshme për treg. Gjatë ditës kam marr shqetësimet e shumë prej tyre që tani në këtë kohë kanë produkte të gatshme për treg. Investimet në këtë sektor për të arritur deri te produktet finale janë të mëdha. Në mungesë të tregut, humbjet do të jenë të pashmangshme. Situatë të njëjtë kemi pasur edhe vitin e kaluar, ku fermerët tanë janë dëmtuar dhe deri më tani nuk janë dëmshpërblyer, sikundër që nuk janë përfshirë në pakot e rimëkëmbjes ekonomike”, ka shkruar Latifi në një reagim.

Ai ka kërkuar trajtim specifik për Rahovecin, pasi që njihet si trevë bujqësore.

“Kërkojmë që masat kundër pandemisë të jenë në përputhje me specifikat e komunave, konkretisht Rahoveci si trevë bujqësore të trajtohet me kujdes”, ka shkruar në fund Kryetari Latifi.

 

Reklama