Latifi pret në zyrë boksierin rahovecas Habib Vuçitërna i cili bokson në Austri

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur sot në zyrën e tij boksionerin Habib Vuçitërna, i cili vepron në Austri. Latifi Vuçitërnën e ka përshkruar si një talent në sportin e boksit.

“Me shumë kënaqësi prita sot në zyrën time të riun nga Rahoveci, Habib Vuçitërna i cili po ushtron sportin e boksit me shumë sukses në Austri ku edhe jeton. Habib Vuçitërna është një talent i fushës së boksit i cili ka zhvilluar disa ndeshje brenda dhe jashtë Kosovës”, ka theksuar Latifi.

Po ashtu, Kryetari Latifi ka njoftuar se gjatë muajit gusht të vitit të ardhshëm, Vuçitërna do të organizojë një ngjarje të boksit profesional dhe amator në Palestrën “Mizahir Isma”.

“Habibi është bokser i peshave të rënda dhe në vitin 2020, gjatë muajit gusht pritet ta ketë një organizim të boksit profesional dhe amator në Palestrën “Mizahir Isma” në qytetin e tij të lindjes, në Rahovec. Si i tillë premton shumë dhe do të vazhdojë të na bëj krenar si shumë të rinj e të reja”, ka shkruar në fund Kryetari Latifi.

Reklama