Latifi numëron të arriturat e Komunës: Krahasuar me qeverisjen e kaluar, kemi shënuar progres në krejt fushat

Kryetari i Komunës së Rahovecit, ka qenë i ftuar në Televizionin 7, ku ka dhënë një intervistë në emisionin “Frontal”, lidhur me qeverisjen komunale, punët dhe projektet që janë kryer dhe po kryhen.

Latifi, ka thënë se Komuna e Rahovecit është treguar konsistente në angazhimet e veta, përkundër problemeve të shumta, siç ishte moti i ligë gjatë tërë muajit maj.

Megjithatë, ai tha se Komuna ka shfrytëzuar maksimalisht ditët e mira duke punuar pa u ndalë.

Si dëshmi të sukseseve të tij dhe adminstratës që ai udhëheq, Latifi ka përmendur Raportin e Performancës të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, ku Rahoveci renditet në pozitën e katërt, ndryshe nga viti 2017 që ishte renditur në vendin e 26-të, kur me Rahovecin qeveriste PDK-ja.

“Në të gjitha fushat e qeverisjes lokale kemi treguar edhe vullnet të madh veprues, por edhe rezultate. Tregon edhe Raporti i Performancës, ku jemi renditur komuna e katërt në shkallë Republike. Nëqoftëse në të 2017-ën jemi renditur në vendin e 26-të, në kuadër të 38 komunave, tash jemi komuna e katërt”, ka theksuar kryetari Latifi.

Më tej, gjatë intervistës, Latifi ka përmendur edhe Raportin e Transparencës, ku Rahoveci ka shënuar progres në renditje, duke përmirësuar transparencën komunale.

“Pastaj, Raporti i Transparencës na ka vlerësu jashtëzakonisht shumë. Jemi brenda dhjetëshës së parë. Nuk kemi qenë kështu, pra kemi shtuar poenat edhe në transparencën komunale”, ka thënë ai.

Kryetari i Rahovecit nuk ka lënë pa përmendur as suksesin që Komuna ka shënuar në Indeksin e Konkurrueshmërisë, duke dalë në vendin e dytë.

“Pastaj, në Indeksin e Konkurrueshmërisë së Bizneseve, jemi komuna e dytë (në nivel Kosove). Kemi krijuar një ambient të mirë të të bërit biznes”, ka thënë ai.

Duke folur për punët që Komuna ka kryer, ai ka përmendur edhe ndihmën që u është dhënë femerëve me serrat.

“Janë 117 serra që janë ngritur”, tha ai. /RahoPress/

Reklama