Latifi merr dy vendime për t’i pritur mërgimtarët, zgjatë orarin e punës dhe liron parkingun e komunës

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka njoftuar se për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, ka marrë dy vendime, njëri prej të cilëve është për zgjatjen e orarit të punës për zyrtarët e gjendjes civile, zyres së pranimit dhe zyres së tatimit në pronë, ndërkaq tjetri vendim është që zyrtarët komunalë t’i heqin veturat e tyre nga parkingu i komunës për t’ua liruar vendin mërgimtarëve.

Ai ka thënë se këto vendime vijnë me qëllimin që t’u lehtësohet qëndrimi në Kosovë mërgimtarëve, duke theksuar se vendimi hyn në fuqi nga 15 korriku, e po ashtu orari i zgjatur vlenë edhe për punë të pjesshme gjatë të shtunës, me një orar prej orës 09:00 deri në orën 12:00.

“Mirëseerdhët në Kosovë, mërgimtarë! Me qëllim që bashkatdhetarët tanë të priten sa më mirë gjatë pushimeve të tyre, kam marrë dy vendime të cilat kanë për qëllim lehtësimin e qëndrimit të tyre në Kosovë. Vendimi i parë ka të bëjë me zgjatjen e orarit të punës për zyrtarët e gjendjes civile, zyres së pranimit dhe zyres së tatimit në pronë, të cilët nga 15 korriku do të punojnë deri në ora 18:00 gjatë ditëve të javës dhe nga ora 09:00 deri në orën 12:00 të shtunën, kurse, me vendimin e dytë, punëtorët e komunës obligohen që të lirojnë hapësirat për parking në oborrin e komunës, për mërgimtarët”, ka njoftuar Latifi.

Latifi ka falënderuar personalisht secilin mërgimtar për kontributin e tyre për atdheun.

“Ju siguroj se ne si komunë do të jemi në dispozicionin tuaj që qëndrimin tuaj në shtëpi ta bëjmë sa më të mirë!”, ka shtuar ai. /RahoPress/

Reklama