Latifi me ekipin e tij vizitojnë Pataqanin e Poshtëm, fshatin më të dëmtuar nga vërshimet

Kryetari Smajl Latifi që nga mëngjesi i ditës së sotme ka dalë në terren për të parë nga afër dëmet që kanë shkaktuar reshjet e djeshme, të cilat më pas shkaktuan vërshime.

Nëpërmjet një komunikate, ai ka njoftuar se sot ka vizituar fshatin Pataqan i Poshtëm,, një prej lokacioneve më të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore.

“Që nga orët e hershme të mëngjesit, së bashku me ekipin komunal, jemi në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura që ndodhën dje. Sot kam vizituar fshatin Pataqan i Poshtëm, një nga vendbanimet më të dëmtuara nga shiu i rrëmbyeshëm. Komuna do të vazhdojë t’i qëndrojë afër qytetarëve të prekur nga vërshimet, me të gjitha kapacitetet, në mënyrë që dëmet e shkaktuara të sanohen!”, ka shkruar Latifi.

Vlen të theksohet se komuna tashmë ka themeluar komisionin për vlerësimin e dëmeve, i cili ka nisur të funksionojë.

Reklama