Latifi kthehet nga Haga, shumë qytetarë e pritën në aeroport

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbërritur në Kosovë nga Haga, ku kishte shkuar për t’u intervistuar me kërkesë të Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës.

Për ta pritur Latifin në Aeroportin e Prishtinës, kanë dalë shumë bashkëpunëtorë, miq e qytetarë të Rahovecit. Në profilin e tij në Facebook, janë shfaqur dhjetëra fotografi të publikuara nga njerëzit që kishin dalë për ta pritur, shkruan RahoPress.

Me të mbërritur në Kosovë, Latifi ka dhënë një prononcim për mediat vendore mbi intervistën në Hagë.

“Ishte një përballje bukur serioze, jam ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Mirëpo, nuk kam qenë i interesuar të përgjigjem. Ishte një betejë mes meje, avokatit tim dhe prokurores. Për mua ka përfunduar intervista sapo i kam dhënë përgjigjet gjenerale mirëpo ajo(prokurorja), nuk i ndërprejke pyetjet. Ka pasur pyetje rreth çështjeve të organizimit të luftës”, ka deklaruar ai për Gazetën Insajderi.

Latifi ka shtuar se i ka rrëfyer prokurorisë për krimet serbe në Kosovë.

“Kam qenë dinjitoz, jam ndi tepër mirë edhe pse në presion të vazhdueshëm prej prokurorës. I kam përmend edhe krimet e mëdha të ushtrisë, policisë dhe sigurisë serbe që kanë ndodhur në zonën tonë dhe kam arritë të them se nuk zbardhen krimet, nuk zbardhet e drejta e viktimave, martirëve”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se ka folur edhe për Ukshin Hotin.

Reklama