Latifi: Koha që pikëpyetjes Ukshin Hoti t’i jepet një përgjigje

Pas publikimit të emisionit “Udhëve” në RTK, ku u prezantuan dëshmi të reja mbi vrasjen e Ukshin Hotit pas daljes nga burgu, ka reaguar edhe kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.

Latifi ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen më shumë për vendosjen e drejtësisë.

“Ukshin Hoti është një prej figurave më të ndritura të kombit tonë. Për fatin e intelektualit e patriotit që e deshi kombin shqiptar më shumë se veten ende nuk ka një përgjigje definitive. Emisioni “Udhëve” në RTK, i shfaqur sonte (21 gusht 2020), ka publikuar disa dëshmi tronditëse që ngrisin dyshime serioze për vrasjen makabre të Ukshin Hotit nga sigurimi serb pas kidnapimit të tij më 16 maj të vitit 1999, kur ishte liruar nga burgu. Shteti i Kosovës, Qeveria dhe institucionet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare, duhet të angazhohen më shumë që krime si këto të mos mbesin vetëm çështje e trajtimit medial”, ka shkruar Latifi.

Kreytari Latifi ka thënë se Serbia po përndjek luftëtarët e UÇK-së me dëshmi të rrejshme, ndërkohë që shteti i Kosovës nuk i shfrytëzon dëshmitë që i ka para syve për të dënuar kriminelët serbë.

“Ndërkohë që kemi para syve dëshmitë e krimeve monstruoze të Serbisë, Kosova ka përfunduar në defansivë para drejtësisë ndërkombëtare, ndërkaq Serbia e Millosheviqit deponon dëshmi të rrejshme për pjesëtarët e UÇK-së nëpërkëmb dinjitetin e luftëtarëve tanë të cilët i ishin bashkuar një misioni fisnik për liri”, ka shkruar ai.

Latifi ka thënë se është detyrë e të gjithë që t’i jepet përgjigja përfundimtare pyetjes mbi fatin e Ukshin Hotit.

“Është detyrë e jona që pikëpyetjes Ukshin Hoti t’i japim një përgjigje. Është obligim ndaj Atdheut, sakrificës së të rënëve e pjesëtarëve të UÇK-së, familjes së Ukshin Hotit e të gjithë kombit shqiptar”, ka shkraur ai.

Reklama