Latifi kërkon nga Ministria e Shëndetësisë rritje të kapaciteteve për vaksinim

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’i rris kapacitetet për vaksinim. Ky reagim i Latifit vjen pas tollovisë së shkaktuar në QKMF-në e Rahovecit gjatë ditëve të fundit.

Latifi ka thënë se ministria duhet të kujdeset që të bëj të mundur punën edhe gjatë fundjavës, të hapë qendra të reja për vaksinim, si dhe të krijojë ekipe mobile që vaksinojnë qytetarë në pjesë të ndryshme të vendbanimeve.

Reagimi i Latifit:

Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë me urgjencë mekanizma që do të lehtësonin vaksinimin e qytetarëve!

Ditëve të fundit është rritur shumë interesimi i qytetarëve për vaksinim. Vetëm sot në QKMF në Rahovec janë vaksinuar 748 persona.

Ministria duhet të ofrojë mekanizma që do ta lehtësonin këtë proces, si: mundësinë që të punohet edhe në fundjavë, hapjen e qendrave të reja për vaksinim, krijimin e ekipeve mobile për vaksinim në zona të ndryshme etj.

Komuna e Rahovecit është e gatshme që me të gjitha kapacitetet të krijojë lehtësira në këtë drejtim, për aq sa Ministria ndryshon strategji dhe merr vendim për këtë gjë.

Reklama