Latifi i zemëruar për deponinë në Fortesë: Po hidhen mbeturina pranë varrezave të dëshmorëve e martirëve

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur i shqetësuar për krijimin e deponisë së mbeturinave pranë varrezave të dëshmorëve në Fortesë për të disatën herë.

Ai ka thënë se komuna po heq mbeturinat, por deponia po krijohet në mënyrë të përsëritur. Çfarë e bën shqetësuese këtë fenomen është jo vetëm hedhja e meturinave në vend joadekuat, por hedhja e tyre pranë varrezave, që sipas Latifit përbën mungesë respekti për dëshmorët dhe martirët.

Latifi shkruan:

Po e pastrojmë edhe njëherë deponinë ilegale të mbeturinave në Fortesë, fare pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve. Si kryetar i Rahovecit, më duhet ta shpreh hapur zemëratën time të thellë ndaj disa qytetarëve të papërgjegjshëm, të cilët në mënyrë të përsëritur këtë vend po e shndërrojnë në deponi mbeturinash.

Hedhja e mbeturinave në vende joadekuate është sjellje joqytetare në vete, e hedhja e tyre përreth e pranë varreve ku pushojnë dëshmorët e martirët e fshatit, është mungesë e pashembullt e respektit ndaj sakrificës së tyre për kombin e shtetin tonë.

Lus qytetarët e përgjegjshëm që të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe të lajmërojnë inspektoratin dhe policinë nëse vërejnë që dikush përsëri po hedh mbeturina në këtë vend.

Reklama