Latifi i reagon Pecit: Rahoveci komuna më e madhe bujqësore në vend, po e injoroni

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, i është përgjigjur disa deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në një emision televiziv. Latifi, deklaratat e ministrit i ka quajtur etiketime dhe akuza.

Latifi ka folur për gjendjen e bujqësisë në Rahovec, në kohën e Pecit si ministër i Bujqësisë, duke thënë Komuna e Rahovecit ka numrin më të madh të bujqve në vend. Përkundër kësaj, Latifi ka folur për neglizhim të Rahovecit nga ministri.

“Duhet t’ia kujtojmë ministrit Peci, se bujqësia është TOP prioritet në Komunën e Rahovecit. Për këtë gjë, një muaj pasi ka marrë detyrën ministri Peci në Qeverisjen Kurti 2, i kemi drejtuar ftesë zyrtare për ta vizituar Rahovecin. Kërkesa i është përsëritur për katër herë, por përgjigje nuk e kemi marrë asnjëherë nga Ministri. Megjithatë, pas dy muaj pritjeje, vizitën e parë bashkë me drejtorin e bujqësisë në Rahovec Berat Durakun, ia kemi bërë pikërisht ministrit të MBPZHR-së z. Peci. Edhe në atë takim i kemi bërë ftesë për vizitë në Rahovec. Përveç injorimit të ftesave tona, Ministri asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë për shqetësimet e bujqve të komunës së Rahovecit”, ka shkruar Latifi.

Reagimi i plotë:

ME AKUZA E ETIKETIME NUK ZGJIDHEN PROBLEMET E BUJQVE TË RAHOVECIT

Sqarime Ministrit të MBPZHR z. Faton Peci, i cili mbrëmë bëri disa akuza gjatë intervistes që pati në emisionin “PRIME TIME”, në Kanal 10

Komuna e Rahovecit është njëra ndër komunat me numrin më të madh të bujqve në nivel vendi. Janë të regjistruar rreth 5400 bujq. Prej tyre, 3200 janë aktiv dhe që aplikojnë edhe në programin e pagesave direkt – subvencione. Ndoshta Ministri nuk është i informuar, por nga totali i 3200 ha me vreshta sa është gjithsej në nivel të vendit, 2400 ha janë në territorin e Rahovecit. Sektor tjetër me rëndësi të madhe është perimekultura, me rreth 3000 ha, ndërsa me drithëra janë rreth 3500 ha.

Duhet t’ia kujtojmë ministrit Peci, se bujqësia është TOP prioritet në Komunën e Rahovecit. Për këtë gjë, një muaj pasi ka marrë detyrën ministri Peci në Qeverisjen Kurti 2, i kemi drejtuar ftesë zyrtare për ta vizituar Rahovecin. Kërkesa i është përsëritur për katër herë, por përgjigje nuk e kemi marrë asnjëherë nga Ministri. Megjithatë, pas dy muaj pritjeje, vizitën e parë bashkë me drejtorin e bujqësisë në Rahovec Berat Durakun, ia kemi bërë pikërisht ministrit të MBPZHR-së z. Peci. Edhe në atë takim i kemi bërë ftesë për vizitë në Rahovec. Përveç injorimit të ftesave tona, Ministri asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë për shqetësimet e bujqve të komunës së Rahovecit.

Ah, gati harrova! Ministri në fakt ka ardhur në Rahovec në kohën e fushatës zgjedhore, mirëpo nuk i ka takuar autoritetet lokale dhe ka biseduar vetëm me militantët e partisë së tij. Duke mos pasur informatat e duhura, edhe “pogrami i tij për bujqësinë” ka qenë shterp, sepse është keqinfromuar për gjendjen e bujqësisë në komunën e Rahovecit. Është hera e parë që një ministër i bujqësisë refuzon të bisedojë me bujqit dhe me autoritetet lokale që merren me këto çështje.

Lidhur me akuzën se gjoja zyrtarët komunal të bujqësisë kanë refuzuar aplikacionet e bujqve, kjo është krejtësisht e pavërtetë. Madje, si e tillë është e turpshme, sepse edhe vetë zyrtarët komunal të bujqësisë merren me bujqësi dhe i dinë mirë nevojat dhe shqetësimet e bujqve. Në fakt, është vetë Udhëzimi Administrativ që ka nxjerrë MBPZHR, ku ministër është z. Peci, ajo që i ka penalizuar bujqit dhe iu ka pamundësuar të aplikojnë për subvencione. Të gjithë në Kosovë e dinë se bujqit kanë probleme serioze pronësore, dhe këtë e di mirë edhe z. Peci. Pamundësia për të pasur një certifikatë pronësie i ka penalizuar bujqit. Madje, edhr ata që kanë arritur të aplikojnë kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash duke ngarendur nëpër gjykata, zyra të kadastrit, zyra noteriale dhe nëpër institucione të tjera të vendit. Për pasojë ka pasur 196 aplikime më pak krahasuar me vitin 2020, me gjithsej 2100 ha të pa përfshira në skemën e subvencioneve. Shprehur në vlerë monetare, bujqit e Rahovecit janë penalizuar për 618,606 €. Ministrin Peci e kemi duartrokitur për thjeshtësim të procedurave, pasi që viti 2021 iu kushtoi shumë bujqve, por në zgjedhjet lokale i kushtoi edhe vetë Ministrit dhe koalicionit qeverisës.

Për të evituar pasojat e dëmshme për bujqit, duhet komunikim, konsultime, analizë dhe vlerësime të gjendjes në terren. Ministri duhet ta dijë se, Komuna e Rahovecit dhe disa komuna tjera nuk kanë zyrë noteriale, prandaj bujqve do t’iu duhet të bredhin nëpër zyrat noteriale në komunat fqinje, duke e rritur koston e aplikimit për subvencione. Nëse për dikë në zyrat qeveritare në Prishtinë ky nuk është problem, për bujqit e komunës së Rahovecit është problem shqetësues. Nëse flitet për rritje të subvencioneve, atëherë këtu duhet të hyjë edhe vreshtaria, e cila ka 0% rritje. Në komunën e Rahovecit pjesa dërrmuese merren me bujqësi, prandaj ne kemi të drejtë të shqetësohemi për fatin dhe mirëqenien e tyre. Më keni quajtur “destruktiv” e “populist primitiv”. Nëse mbrojtja e interesave të 70 % të qytetarëve të komunës së Rahovecit është akt “destruktiv” dhe “populizëm”, atëherë unë e refuzoj këtë me neveri. Gjithkush duhet ta dijë se, sa herë që cenohen interesat e bujqve të Rahovecit, do të kundërshtojmë fuqishëm, qoftë edhe duke na cilësuar “destruktiv” e “populist”.

Nëse ministri Peci dëshiron të ndihmojë bujqit e Rahovecit, atëherë zyra e Kryetarit të Komunës është e hapur dhe mirëpret çdo shqetësim apo paqartësi. Ftesa e bërë qysh në prill të vitit 2021 ende është aktuale dhe ministri Peci me bashkëpunëtorët e tij do të mirëpritet.

Bujqit kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete, prandaj arsyetimet dhe etiketimet nuk i shërbejnë kësaj klime të rëndë për bujqit tanë.

Së bashku mund të bëjmë veprime të dobishme, prandaj Ministër Peci, Komuna e Rahovecit është për bashkëpunim të mirë e konstruktiv, me synim tejkalimin e vështirësive për bujqit tanë.