Latifi i ndan mirënjohje njësitit të FSK-së që gjeti trupin e Naim Gashit te Ura e Fshejtë

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi sot ka pritur disa zyrtarë të FSK-së, përkatësisht udhëheqësit e njësisë së kërkim-shpëtimit “Togu i Ujërave”, që u mor intensivisht me kërkimin e trupit të mësuesit të ndjerë nga Sapniqi, Naim Gashi, deri në gjetjen e tij.

Latifi, në shenjë falënderimi për këtë njësit, ka ndarë një mirënjohje.

Latifi ka shkruar:

Në një takim të përzemërt dhe falënderues, në prani të udhëheqësve të fshatit Sapniq, familjarëve, e një numri të qytetarëve, sot kam pritur Ekipin e Gardës së FSK-së, njësia e kërkim-shpëtimit “Togu i ujërave” në krye me komandantin e Gardës Kombëtare, Gjeneral Brigade Xhevahir Gecin, Nënkolonelin Shpend Zogaj, komandant i Rexhimentit të Mbrojtjes Civile dhe rreshterin e klasit të parë, udhëheqësin e togut Naim Mala, si dhe pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion.

Si gjithherë operacionet e FSK-së na bëjnë krenar, këtë herë edhe më shumë sepse reaguan ndaj një fatkeqësie, duke kryer një operacion të vështirë e kompleks, me rrezik edhe për jetën e tyre, gjetjen e trupit të pajetë të mësimdhënësit Naim Gashi nga Sapniqi.

Në shenjë falënderimi të thellë dhe respekti për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, kam ndarë edhe mirënjohje me motivacionin:

“Për performancë të shkëlqyer gjatë realizimit të operacionit për Kërkim-Shpëtim në ujërat e Drinit të Bardhë”!

Faleminderit shumë prej secilit që ishte i angazhuar në këtë proces!

Suksese në misionin tuaj!

Qofshi faqebardhë!

Reklama