Latifi: Do ta bëjmë Qendrën për Arte, Kulturë dhe Inovacion në Rahovec

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili kandidon për një mandat të ri me 14 nëntor, ka zbuluar imazhet e projektit të ri që do ta realizojë në mandatin e tij të ri.

Ai ka thënë se në Rahovec do të ndërtohet Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion. Përveç bujqësisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit, Latifi ka thënë se në mandatin e ri do të ketë një vëmendje të shtuar edhe kah arti dhe kultura.

Kjo qendër, ka thënë Latifi, do të jetë shumëfunksionale, në të cilën do të përfshihen disa institucione të tjera. Ai ka thënë se kjo qendër u përket më së shumti të rinjve dhe të rejave të Rahovecit.

Latifi ka shkruar:

Do ta bëjmë Qendrën për Arte, Kulturë dhe Inovacion në Rahovec!

Në mandatin e ri kemi vendosur të realizojmë shumë projekte që do ta ndryshojnë edhe më shumë Rahovecin. Ky mandat do të karakterizohet nga një dimension i ri zhvillimi, sepse përveç bujqësisë, ekonomisë, shëndetësisë e arsimit, do të punojmë më shumë edhe për zhvillimin e artit dhe kulturës në komunën tonë.

Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion, do të jetë një prej projekteve kryesore me karakter polifunksional, për t’i shërbyer të rinjve e të rejave të Rahovecit, që kanë sens, talent dhe pasion për artin, kulturën dhe inovacionin. Kjo qendër do të jetë e të gjithëve, por më së shumti e të rinjve, sepse aty buron krijimtaria dhe lind madhështorja.

Brenda kësaj qendre do ta sistemojmë Shkollën e Mesme të Ulët të Muzikës “Faik Sylka”, Sallën Universale, Bibliotekën, Galerinë e Arteve, Qendrën për Inovacion dhe Teknologji si dhe hapësira shtesë për stafin e administratës dhe atë të mirëmbajtjes dhe serviserëve.

Reklama