Latifi: 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e Rahovecit, ranë dëshmorë si Mensur Zyberaj

Me rastin e shënimit të ditës së Shtëpisë së Kulturës “Mensur Zyberaj”, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e mbajtur.

Latifi, fjalimin e tij e ka nisur duke iu drejtuar familjarëve të heroit Mensur Zyberaj, emrin e të cilit sot e mban Shtëpia e Kulturës.

Ai ka thënë se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e Rahovecit, për arsye se në këtë ditë ranë edhe dëshmorë siç ishte Mensur Zyberaj, i cili ishte një prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së në Anadrini.

Ky ishte fjalimi i Latifit me rastin e kësaj dite:

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, e respektuara familja e Heroit të Kosovës Mensur Zyberaj, invalidë e veteranë të luftës, miq e bashkëpunëtorë, të nderuar të pranishëm, sot po kremtojmë një ngjarje e rëndësishme për kulturën në komunën e Rahovecit.

28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës, në trekëndëshin Pojatat e Mullaabazëve – Krushë e Madhe- Qëndresë (ish Randobrava). Beteja e majit mori përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorëve, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, Heroi i Kosovës Mensur Zyberaj.

Përhapja e rrezeve të kulturës dhe shkëlqimi e ngrohtësia që japin këto rreze, arsyetojnë luftën dhe përpjekjet e popullit tonë për liri. Qendra e kulturës, që mban emrin e këtij protagonisti të madh të luftës tonë për liri, është vendi ku ne shpesh mblidhemi për të evokuar kujtime dhe nderuar kujtimin për ata që u flijuan për ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe për mbarësinë e kombit. Përkujtimi që ne ju bëjmë atyre që ranë në fushë të nderit është një nga detyrimet tona morale e institucionale, duke synuar që jeta dhe vepra e dëshmorëve të na shërbejnë fanar ndriçues në rrugën tonë kah përparimi. Vetëm në këtë mënyrë merr kuptim dhe peshë rënia e tyre.

Organizimi i sa më shumë festave e ngjarjeve kulturore në këtë vatër të kulturës, jo vetëm që përbën thelbin e ekzistimit të qendrës së kulturës, por se është edhe mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin për të rënët. Nuk mjafton që ne vetëm të kujtojmë lavdinë e tyre, por mbi atë lavdi të ndërtojmë ardhmëri për vendin tonë. Ky është edhe amaneti i dëshmorëve.

Të nderuar të pranishëm,

Maji ishte muaji i rënieve e sakrificave të mëdha për liri. Mensuri, Sadedini, Bekimi, Mexhiti, Ismaili, Habibi, Milaimi, Xhevdeti, Naimi, Besimi, Avniu, Alajdini, Xhevati, Bujari, Jetoni dhe shumë dëshmorë të tjerë të zonave të ndryshme që ranë në këtë betejë të pabarabartë me armikun në atë fund maji. Gjithë këto rënie, gjithë ky gjak dhe gjithë këto vuajtje të popullit tonë, dëshmojnë qartë sa shtrenjtë e paguam lirinë tonë. Jemi në rrugë të mirë që vendin tonë ta radhisim krah popujve të zhvilluar e të qytetëruar. Këtë e meritojmë por se duhet edhe shumë mund e djersë. Besojmë se nuk do t’na mungojë forca dhe dëshira për ta bërë këtë.

Për të përjetësuar kujtimin për dëshmorët tanë na takon që në këtë vatër të kulturës të shpalosim gjithnjë e më shumë promovime të kulturës tonë tradicionale, të krijimeve të reja artistike dhe çdo vlerë tjetër që na identifikon si komb. Presim bashkëpunim më të thelluar me artistët dhe krijuesit e komunës tonë, duke synuar që jeta jonë kulturore të jetë sa më e pasur. Kjo dëshmon një përkushtim të madh në ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore. Në këtë linjë po vazhdojmë ende, sepse paraprijës kemi idealin e atyre që u flijuan për këtë vend.

Prandaj, uroj artdashësit, krijuesit, artistët dhe të gjithë ata që po e pasurojnë jetën kulturore në Rahovec, sepse lufta për liri është kulturë dhe detyrim historik. Gjithnjë duke pasur në mendje e zemër ata që u flijuan për lirinë, që brezat të vazhdojnë të krijojnë art, ndërsa ideali i dëshmorëve t’ju prijë në veprimtarinë e tyre krijuese.

Lavdi dëshmorëve dhe atyre që u flijuan në rrugëtimin e lirisë!

Reklama