Lajmi për kanabisin në Krushë që shkaktoi debat, banorët thonë se bimët narkotike kanë mbirë vetë

Dje në shumë media vendore, e po ashtu edhe në RahoPress, u publikua një lajm për asgjësimin e 1,000 bimëve kanabis në Krushë të Madhe.

Ndryshe nga raportimet tjera të kësaj natyre, krushjanët reaguan me pezm ndaj këtij lajmi. Reagime të shumta pati edhe ndaj RahoPress, për të cilën gjë ne ndjejmë nevojën për një lajm tjetër shpjegues.

Lajmi që u publikua dje, është marrë nga raporti zyrtar i Policisë së Kosovës që publikohet çdo 24 orë. Megjithëse shumë krushjanë thonë se bimët e asgjësuara kanë mbirë vet në lokacionet ku janë gjetur, kjo gjë nuk ishte qartësuar në raportin policor, ku madje thuhej, se ky rast ishte një aksion policor.

Kishte disa komentues që kërkuan nga RahoPress që të mos e fyejnë Krushën e Madhe përmes këtij lajmi, duke e quajtur dezinformatë. Ne sqarojmë se nuk ka qenë asnjëherë në qëllimin e redaksisë sonë që të përhapë lajme të pavërteta, e aq më pak të ofendojmë qytetarë e fshatra të lavdishme si Krusha e Madhe.

Megjithatë, duke qenë se redaksia jonë funksionin në bazë të parimeve dhe standardeve moderne të gazetarisë, ne kemi për detyrë që të publikojmë lajmet që mund të jenë të rëndësishme për informimin e qytetarëve, të cilat jo gjithmonë mund të jenë të këndshme dhe të përshtatshme me preferencat e secilit.

Rasti ishte me lajmin e djeshëm, për të cilin mund të ketë gabime në informim, por nëse ka ndodhur ndonjë gabim eventual, atëherë kjo gjë duhet të ketë ndodhur në Zyrën për Media të Policisë së Kosovës, ku janë bazuar të gjitha mediat që kanë raportuar.

 

Reklama