Lajçak: S’ka marrëveshje gjithëpërfshirëse pa Asociacionin

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar fazë të re negociatash me pako temash të rënda, pjesë e së cilës është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë troç se, pa marrëveshjen për këtë mekanizëm, nuk do të ketë as marrëveshje gjithëpërfshirëse mes të dyja vendeve.

Lajçak e ka lënë Prishtinën pas një vizite treditore, dhe ka marrë me vete një rezultat që e ka kualifikuar si shumë të rëndësishëm. Sipas tij, lidershipi në Kosovë i ka thënë se do t’i jetësojë zotimet për Asociacionin, të marra në Bruksel.

“Është kënaqësi të them se në të gjitha takimet, partnerët e mi shprehën përkrahje për dialogun dhe konfirmuan se Kosova do t’i respektojë të gjitha zotimet, duke përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe ky është rezultati më i rëndësishëm dhe më pozitiv i vizitës sime në Kosovë”, ka thënë ai në një konferencë shtypi, pas përmbylljes së vizitës në Prishtinë. “Dialogu duhet t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura”.

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia kanë mbërritur një marrëveshje, pjesa më e madhe e së cilës i referohet Asociacionit. Ndërkaq dy vjet më vonë ishin dakorduar parimet, mbi bazën e të cilave do të ngrihej ky mekanizëm. Asociacioni nuk është themeluar prej atëherë, meqë Gjykata Kushtetuese gjeti se marrëveshja e 2015-s ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Lajçaku tani ka bërë thirrje që, përpara mbërritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, duhet të kryhen të gjitha punët përgatitore për Asociacionin, mes të cilave edhe hartimi i Statutit.

“Hapi i radhës duhet të jetë që të diskutohet Statuti dhe kjo është çka presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të implementohet pas nënshkrimit. Do të thotë se implementimi i marrëveshjes për Asociacionin do të jetë pas nënshkrimit të marrëveshjes, por detajet në lidhje me asociacionin duhet të dakordohen si pjesë e negocimit të marrëveshjes, sepse nuk duhet të kemi mungesë të qartësisë për asnjë prej çështjeve në momentin e nënshkrimit”, ka theksuar ndërmjetësi evropian. “Kështu që nuk mund ta nënshkruajmë sot, dhe ta diskutojmë implementimin pasnesër. Do të thotë, implementimi fillon pas nënshkrimit, por duhet të kemi qartësi se çka po nënshkruajmë dhe çka po implementojmë”.

Reklama