“Ky është aksidenti më i madh në histori të Maqedonisë”

Seladin Xhezairi ka shumë vjet si gazetar, por një aksident të tillë çfarë ndodhi sot në Bullgari, kur një autobus me shqiptarë u aksidentua dhe më pas u mbulua nga flakët nuk ka ndodhur në këtë vend.

Si pasojë e aksidentit, humbën jetën 45 shqiptarë, që po ktheheshin nga Stambolli ku ishin për pushime.

“Tre vjet më parë në rrugën Shkup – Tetovë ndodhi një aksident ku humbën jetën 14 persona, por një i tillë si ky sot nuk i ka ngjarë Maqedonisë as si shtet i pavarur e as sa ishte pjesë e Jugosllavisë. Është ditë e rëndë për Maqedoninë, por edhe për gjithë shqiptarët, pasi 99 për qind e të vdekurve sot janë shqiptarë”, tha Xhezairi në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV.

Mes të vdekurve janë edhe disa fëmijë, ndërkohë që shpëtuan vetëm 7 pasagjerë.

Xhezairi ka thënë se në bazë të asaj që po raportohet, shkaku i aksidentit mund të sillet nga një problem teknik e deri te shpërqendrimi i shoferit.

“Por është herët të konstatohet diçka derisa ekipet po hetojnë aksidentin. Sot, ekipit hetues në Bullgari i është bashkuar edhe një ekip nga Shkupi”, ka thënë ai.

Sipas mediave bullgare, rruga ku ndodhi aksidenti ishte në gjendje të rregullt, por Xhezairi kujton edhe një statistikë për këtë vend.

“Mësova sot se gjatë vitit të shkuar në Bullgari kanë humbur jetën 460 persona në aksidente”, tha ai.

Reklama