Ky do të jetë moti për këtë javë

Kjo javë ka nisur me reshje lokale shiu, intervale të gjata kohore me diell, vende -vende në rajon ka pasur edhe rrebeshe të fuqishme lokale shiu, vetëtima, bubullimë madje edhe breshër.

Sonte në rajonin tonë pritet të kemi depërtimin e frontit të ftohtë ajror nga veriu i cili do të kushtëzojë ulje të ndjeshme të temperaturave në tërë rajonin. Do të ketë edhe reshje shiu, kurse në viset kodrinore-malore edhe reshje bore. Pra në përgjithësi do të kemi një miks të vërtetë kushtesh sinoptike.

Nesër në tërë rajonin tonë do të kemi ngritjen e presionit atmosferik dhe si pasojë do të vije deri te ndërprerja e reshjeve atmosferike, por do të jetë mjaft ftohtë. Do të ketë edhe erëra të ftohta veriore.

Të mërkurën në tërë rajonin do të shtrihen masa ajrore stabile anticiklonike të cilat do të kushtëzojnë mot mjaft të këndshëm, stabil dhe të nxehtë. Mirëpo kjo nuk do të zgjasë sepse nga ditën e enjte do të kemi shtim të konsiderueshëm të vranësirave, ulje të temperaturave si dhe reshje të reja atmosferike si pasojë e depërtimit të një vorbulle të re ciklonike nga Atlantiku.

Të shtunën përsëri përmirësim i motit dhe ngritje e temperaturave, kurse të dielën përkeqësim i motit me rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë si dhe reshje të dendura shiu në tërë rajonin tonë. /MeteoBallkan/

Reklama