Ky do të jetë moti për ditën e sotme dhe ditët e fundjavës

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Temperaturat maksimale në nivel vendi do të arrijnë rreth 30 deri 31 gradë celsius. Pasdite në disa rajone priten përsëri zhvillime të vranësirave të cilat mund të kushtëzojnë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Në Shqipëri sot do të dominojnë kthjellimet dhe do të jetë mjaft nxehtë. Pasdite në veri dhe verilindje të vendit mund të ketë rrebeshe lokale shiu. Temperaturat maksimale në nivel vendi pritet të arrijnë rreth 32-33 gradë celsius.

Edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nesër pritet mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Pasdite në veri të Malit të Zi mund të ketë rrebeshe lokale shiu, ndërsa në Maqedoni mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu kryesisht në ndonjë rajon kodrinoro-malor.

Të shtunën në tërë rajonin pritet mot i kthjellët dhe me diell. Priten ngritje të temperaturave. Pasdite në disa rajone në Kosovë (kryesisht në veri dhe verilindje) mund të ketë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të dielën po ashtu mot i nxehtë në tërë rajonin. Pasdite në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi pritet destabilizim i fuqishëm i motit me rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër. E përmendëm këtë fakt sepse disa nga këto stuhi në forma më të dobësuara mund të prekin edhe disa vende në Republikën e Kosovës pasdite vonë dhe gjatë natës në të hënën.

Të hënën në tërë rajonin pritet mot mjaft jostabil dhe me rrebeshe shiu, të shoqëruara vende-vende me vetëtima dhe bubullimë. Priten edhe ulje të temperaturave.

Reklama