Kurti: Të enjten ia bëra dy propozime të reja Mustafës, ta shohim a do t’i pranojë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar detaje nga takimi i së mërkurës dhe të enjtes që kishte me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se në takimin e mbajtur të mërkuren, të dyja palët kanë bërë nga një propozim.

“Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e parë me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2020, shkruan Reporteri.net, pa treguar se çfarë propozime i ka bërë Mustafës.

Kreu i VV-së më tej ka deklaruar se partia e tij nuk mund të paraqitet sikur asgjë nuk ka ndodhur.

“Gjërat kanë ndodhur, takimet dhe përpjekjet tona kanë ndodhur, ofertat tona kanë ndodhur, afatet kushtetuese kanë ndodhur, seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur. Pra, nuk mund të shtiremi se këto ngjarje e këto afate nuk kanë ndodhur e nuk i ka parë i gjithë populli”, ka deklaruar ai.

Kurti ka shtuar më tej se janë afruar me LDK-në, por siç ka thënë po u afruan edhe pak do të arrijnë marrëveshje, ndërsa thotë se vullnet e interes kanë, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet prej tij.

“Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër. Është e mundshme që përveç popullit të fitojnë të dyja palët, të dy subjektet tona, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Përveç qytetarëve, edhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë e preferojnë koalicionin LVV-LDK”, ka deklaruar Kurti.

Reklama