Kurti: S’mund të kemi Asociacion njëetnik, s’ka presion për rifillim të dialogut

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që se nuk ka presion as nga BE-ja dhe as nga SHBA-të, për të rinisur dialogu në mes Kosovës e Serbisë.

Gjatë vizitës në Prizren, Kurti theksoi që një takim i tillë do të mbahet në mes të qershorit.

“Do të ketë një takim kah mesi i qershorit. Presion nuk ka. Ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por është palë në bisedime dhe me programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Tutje Kurti tha që në Kosovë nuk mund të ketë asociacion një etnik.

“Për çështjen e asociacionit e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve edhe veprimet e atëhershme opozitare, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi Asociacion një etnik, pra është e domosdoshme që t’i integrojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të mos krijojmë ngrehina të cilat i ndajnë e i përçajnë ata”, tha ai.

Reklama