Kurti para seancës: Pas 23 vjetësh kam rastin t’i shërbej popullit

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti ka folur para mediave para nisjes për në Kuvend të Kosovës, ku për pak pritet që të bëhet votimi i qeverisë së re.

Kurti ka bërë të ditur se kryer përgatitjet për seancë.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet për seancën, me që rast synimi ynë është të zgjedhim qeveri të re, e cila do të punojë mbarë e mirë e sipas programit të harmonizuar, me një ekip shumë të mirë të kabinetit, por mbi të gjitha sot dua t’i falënderoj qytetarët e Kosovës që na mundësuan një ditë të tillë, në të cilën duam që ndryshimin e madh politik që ata e kanë bërë me 6 tetor, ne si përfaqësues ta shndërrojmë edhe në ndryshim qeveritar, pra ta institucionalizojmë ndryshimin e shkaktuar me vullnetin e popullit”, tha Kurti, teksa konfirmoi se do të takohet me deputetët e pakicave.

“Do t’i zhvilloj takimet përfundimtare edhe me disa deputetë do të shkoj njëherë në zyrën e grupit parlamentar të LV-së”, shtoi ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se pas 23 vjetësh e ka rastin që t’i shërbejë popullit.

“Është një ditë që është kapitull i ri edhe në Republikën e Kosovës edhe në jetesën e popullit e në aktivitetin tim politik, që 23 vjet jam në opozitë prej që merrem me politikë, më në fund do ta kem shansin e sidomos përgjegjësinë që t’i shërbej popullit si asnjë herë më parë”, ka thënë ai.

Reklama