Kurti: Mbrëmë kur shkova në shtëpi u ngroha me batanije

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se dje është ngrohur me batanije në shtëpinë e tij, si mënyrë kjo për ta kursyer rrymën.

Gazetarja e ka pyetur sot Kurtin se me çfarë është nxehur gjatë mbrëmjes së kaluar, pas thirrjes që ai dhe Qeveria po bëjnë për qytetarët që të kursejnë rrymën.

I pari i Qeverisë ka ironizuar dhe është tallur, duke thënë se është ngrohur me batanije, derisa ka përmendur edhe deputetin e PDK’së, Bekim Haxhiu.

“Mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije, por shpresojë që kjo pyetja juaj dhe përgjigja ime nuk do të bëjë që nesër deputeti Bekim Haxhiu të organizojë një konferencë për media”, ka thënë Kurti.

Kurti, në një konferencë për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Qeveria do ta bëjë maksimumin për furnizim me energji elektrike dhe që të shmanget rritja eventuale e çmimeve.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga opozita për refuzimin e projektit të gaz-sjellësit amerikan, për të cilin kanë thënë se do të zgjidhte krizën energjetike.

Reklama