Kurti: Kompromiset janë bërë në Pakon e Ahtisaar-it, asnjë tjetër më s’do ta bëjmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij të parë në këtë detyrë ka shpalosur synimet dhe planet e qeverisë së tij në mandatin e fituar, njofton Klan Kosova.

“Do të krijojmë partneritet të fuqishëm me 5 shtylla që garantojnë daljen e shpejtë nga recesioni i tanishëm”, ka thënë Kurti në foltoren e Kuvendit.

“Mbështetja jonë të gjitha bizneset krijon qasje në bizneset ndërkombëtare”, vijoi ai duke shtuar mes tjerash se do të angazhohen në shtimin e numrit të punëtorëve.

Më pas, ai tha se qeveria Kurti do të vazhdojë t’i fuqizojë gratë në qeverisje dhe vendimmarrje.

“Do të jemi qeveri që i fuqizon gratë. E kemi dëshmuar që jemi lëvizje progresiste dhe progresive duke kaluar kuotat për gratë dhe kemi më shumë gra se në çdo parlament tjetër”.

Kurti tha se pandemia i ka mësuar se sa e rëndësishme është bujqësia, për çka do të angazhohen rreth këtij sektori të cilin e konsideroi siguri kombëtare.

“Prandaj, bujqësia dhe prodhimet bujqësore janë përveçse prioritete, edhe çështje të sigurisë kombëtare. Tokat tona do të mbrohen, ashtu si do të mbrohen bujqit prodhues”.

Ndërkaq, ai premtoi financim dhe përkrahje edhe të akterëve të kulturës dhe sportit në mënyrë që ata ta zhvillojnë potencialin e tyre, ndërkaq pohoi se do ta mbrojnë edhe trashëgiminë kulturore.

Për policinë tha se do ta mundësojnë pensionimin e parakohshëm të tyre në moshën 55 vjeçe.

“Njëjtë sikur policia e Kosovës që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor dhe shëndetësor”.

Ai tha se institucionet e vendit do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, ndërkaq premtoi edhe fuqizimin e departamentit për zbardhjen e krimeve të luftës, duke thënë se do të krijohet një legjislacion i veçantë lidhur me këtë.

Për më tepër, ai deklaroi që do të rritet bashkëpunimi bilateral me partnerët strategjikë, do të ndodhë reformim brenda vendit dhe qasja jashtë vendit.

Kurti po ashtu deklaroi që kompromiset që janë kërkuar për çmimin e pavarësisë kanë ndodhur në Pakon e Ahtisaar-it, dhe se do të riparohen dëmet e bëra në vitet e fundit, dhe se nuk do të bëhet më kompromis me sovranitetin e vendit.

“Kompromiset që janë kërkuar dhe janë bërë në pakon e Ahtisaaar-it si çmim i paguar për pavarësinë janë bërë. Asnjë kompromis tjetër nuk do ta bëjmë”.

“Orientimi ynë është i qartë. Aleanca me SHBA-në dhe bashkëpunimi translatlantik do të thellohet. Do të punojmë pa rreshture që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe e BE-së.

Reklama