Kurti ia tregon dhëmbët Ramiz Kelmendit, e takon punëtorin që e larguan politikisht nga puna

Albin Kurti po paralajmëron masa të frikshme ndaj atyre që po shkelin të drejtat e punëtorëve. Kërcënimin e parë ia ka bërë një ish-politikani i cili është pronar biznesesh të marketeve.

Këto komente Kurti i ka bërë teksa ka takuar sot Amar Pushkën, për të cilin është raportuar se është larguar nga kompania e Ramiz Kelmendit vetëm pse ishte përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Amar Pushka është i papunë por i panënshtruar ndaj pronarit që vendosi ta mbështesë regjimin e vjetër. Shkeljes së të dejtave të punëtoreve nga punëmarrësit shpejt do t’i vijë fundi”, ka paralajmëruar Kurti duke publikuar foto bashkë me ish-punëtorin e ETC’së.

Në anën tjetër, Ramiz Kelmendi, ka mohuar se dikujt në kompaninë e tij i shkelen të drejtat. Ka thënë se nuk e njeh Amar Pushkën.

“Nuk ka pasur asnjëherë shkelje edhe kur kanë qenë qeveritë e kaluara që me u ndalu tash shkeljet. Nuk e di unë për çfarë punëtori është fjala. Nuk e di që ka dikush obligim me i votu partitë politike, e aq më pak ai personi në fjalë të cilin unë nuk e njoh hiç”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se askush në kompaninë e tij s’ka qenë i detyruar të votojë për asnjë prej partive që kanë garuar në zgjedhje.

“Nuk ka kërkush obligim me votua, e aq më pak ndonjë person që paska aderuar apo ka shkuar në çfarëdo forme në cilëndo parti, mundet me shkua me lëvizë krejt çka i takon Ligjit të drejtat e tij janë, mundet me lëvizë ku të dojë kush të dojë, as s’ka obligim për të votuar askë”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, kandidati për Kryeministër, Albin Kurti ka thënë se shpejt do t’iu vijë fundi shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

“Me punëtorë që e ngrisin zërin për të drejtat e tyre, sikurse Amar Pushka, do të fuqizojmë sindikatat, do ta zvogëlojmë pabarazinë e do ta luftojmë varfërinë. Amari nuk është vetëm. Ai ka një Lëvizje të tërë prapa”, ka shkruar Kurti.

Ramiz Kelmendi, ish-deputet i LDK’së e AAK’së, kishte thënë pesë ditë para zgjedhjeve se është dakorduar me punëtorët e kompanisë së tij, ETC, se do të votojnë Kadri Veselin dhe PDK’në.