Kurti ia ofron Vuçiqit librin e krimeve serbe, ai e refuzon

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se në takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, këtij të fundit ia ka ofruar tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1.113 fëmijëve të vrarë dhe “Dosjen Britanike”, për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Kurti shkroi në Facebook se Vuçiq asnjërin nga to nuk e pranoi, duke theksuar se “është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim.

Po ashtu, Kurti tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se në takimin e sotëm në Bruksel ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

Kurti tha se marrëveshja, që ai tha se ishte deklaratë e paqes, ishte e përgatitur nga ai dhe e balancuar.

“Ajo u refuzua ende pa u lexuar, kjo dëshmon për mosgatishmërinë e tyre për marrëveshje”, tha Kurti.

Ky ishte takimi i dytë Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i lexoi 11 pikat që Serbia ia vendos Kosovës si barrikada, derisa sipas tij, përfaqësuesit serbë nuk deshën të dëgjonin për to.

“Ishim dakord që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve tona dhe në shtator, të ketë takim mes krerëve tanë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi ballafaqimit të së kaluarës, kur e dimë që problemet i kemi nga e kaluara. Është për të ardhur keq që nuk arritëm një marrëveshje të përbashkët. Pala serbe e kundërshtoi shumë ashpër atë”, ka thënë Kurti.

Duke folur për atmosferën e takimit, Kurti deklaroi se ishte pothuajse e njëjtë nga takimi i kaluar, ngase nuk është pranuar togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Duket se kryetari i Serbisë e sheh shumë personalisht këtë punë. Ne kemi angazhuar Andin Hotin për çështjen e të pagjeturve, derisa në Serbi vazhdon të jetë Velko Odalloviqi”, deklaroi tutje ai.

 

Reklama