Kurti i shkruan Netanyahut, nuk e përmend ambasadën në Jerusalem

”Faleminderit që më ftuat të vizitoj vendin tuaj miqësor, gjë që do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka kthyer një letër falënderuese kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ditë më parë i shkroi të parit, duke e ftuar madje për hapje të ambasadës në Jerusalem.

Në letrën e publikuar së fundi, që mban datën e 1 marsit, Kurti, thotë se do ta vizitojë Izraelin, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët, megjithatë nuk përmend fare hapjen e ambasadës në Jerusalem, njofton Klan Kosova.

”Si kryeministër në ardhje, unë mirëpres faktin se marrëdhëniet midis dy popujve tanë, janë ngritur në marrëdhëniet diplomatike midis vendeve tona. Unë e shoh këtë si një mundësi për të vendosur dhe forcuar bashkëpunimin tonë politik, ekonomik dhe kulturor.

Kombi ynë historikisht ka qenë i respektueshëm ndaj komunitetit hebre. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, unë do të jem i lumtur të adresoj dhe çështje përkatëse të komunitetit hebre dhe trashëgimisë së tij në vendin tonë.

Ndërsa vendet tona po krijojnë marrëdhënie diplomatike, unë shpresoj të zgjeroj dhe thelloj bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit që më ftuat të vizitoj vendin tuaj miqësor, gjë që do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”.

Reklama