Kurti e Vuçiq sot përballë njëri-tjetrit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot për herë të dytë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit, pas atij të 15 qershorit kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë rifilloi zyrtarisht.

Nga takimi i parë të dyja palët kishin dallime të mëdha. Beogradi insistoi që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Në takimin e parë, kryeministri Kurti paraqiti katër propozime për dialogut: E para, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA. E dyta, Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. E treta, pas njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ndërsa si propozim i fundit, Kurti kërkoi dorëheqjen e Veljko Odalloviqin nga delegacioni serb për të pagjeturit.

Përveç këtij takimi të nivelit të lartë, javën e kaluar është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve të nivelit të ekspertëve.

Reklama