Kurti e Borrelli përplasen për Asociacionin

Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është në interes të serbëve të Kosovës dhe është servis i Beogradit zyrtar, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka kritikuar qasjen e Kosovës.

Në një përgjigje direkte, në konferencën e përbashkët për media, Borrell ka thënë se kjo marrëveshje duhet të implementohet sepse është nënshkruar nga të dyja palët.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe dy të tretat e tyre s’janë implementuar nga Serbia, por gjithmonë Beogradi zyrtar dëshiron ta përmendë një marrëveshje që më duhet ta them s’e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Më kujtohet më 2015, kur në vendimin e saj asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi. Besoj se është koha që të ketë dialog, ku populli, qytetarët, janë përfituesit e jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut. Që njerëzit të fitojnë. E ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015, serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtueses, por ishte Beogradi që po vajtonte për atë që ka ndodhur”, ka thënë Kurti i pyetur për Marrëveshjen për Asociacionin.

Ai ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë në mënyrë që të sjellë të mira për popullin e jo që t’i shërbejë politikanëve të caktuar.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë, në mënyrë që të kënaqen politikanë të caktuara, s’janë demokratike. Unë jam demokrat dhe prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të dialogut s’duhet të jenë aty për të kënaqur politikanë, të shpëtojnë lëkurën e dikujt apo fytyrën e dikujt, por të shërbejnë e ndihmojnë njerëzit. Ne u shërbejmë njerëzve dhe kam frikë se ky Asociacion më shumë i shërben Beogradit se  qytetarëve të zakonshëm serbë në Kosovë, për të cilët po ashtu shërbej si kryeministër i Republikës sonë”, ka vazhduar Kurti.

Ndërkaq, Borrell është përgjigjur menjëherë.

“Jam demokrat edhe unë. Dhe nuk jam këtu t’i shërbej ndonjë politikani, të asnjërës anë. Ajo që është treguar deri tash është se dialogu është mënyra e vetme për t’i adresuar dhe zgjidhur çështjet e hapura. Dua që ta merrni parasysh plotësisht rëndësinë e dialogut dhe që të tejkaloni vështirësitë e Kosovës për integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare. S’pajtohem kur thoni që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshëm implementimin e kësaj marrëveshje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare për arritje të marrëveshjes dhe në kornizë të dialogut. Më vjen keq kryeministër, por më duhet të kërkojmë implementimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar. Nga të dyja palët ka marrëveshje që s’janë zbatuar. Por kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Borrell.

Reklama