Kuçi në Rahovec, premton financimin e Sheshit Qendror të Qytetit

Komunën e Rahovecit sot e ka vizituar ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i cili është pritur nga kryetari Smajl Latifi dhe zyrtarë të tjerë komunalë.

Sipas njoftimit nga komuna, ky takim ka shërbyer edhe si shkas për të vazhduar zyrtarisht marrëveshjen për mbështetjen e rregullimit të shtratit të lumit nga Hoça e Madhe, deri në Krushë të Madhe.

“Sot për një vizitë zyrtare pritëm ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit z. Blerim Kuçi, me të cilin diskutuam për situatën e përgjithshme në Komunën e Rahovecit dhe fushat ku kërkohet mbështetja nga institucionet qendrore. Përveç temave të ndryshme që u trajtuan në këtë takim, me ministrin Kuçi zyrtarizuam marrëveshjen që të vazhdohet financimi i shtratit të lumit nga Hoça e Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogel, Nagac e deri në Krushë të Madhe në vlerë 1,294.000 nga ana e Ministrisë së Ekonomisë së Ambientit”, thuhet në komunikatë.

Latifi ka thënë se nga Kuçi ka marrë edhe mbështetjen për financimin e ndërtimit të Sheshit Qendror të Qytetit.

“Një lajm tjetër pozitiv për qytetarët e Rahovecit, është se ministri tregoi se ministria që ai drejton ka në plan që të financoj projektin për ndërtimin e Sheshit Qendror të Rahovecit, projekt për të cilin tashmë është shpallur konkursi ndërkombëtar para pak ditësh. Poashtu, Kuçi premtoi se do të financohet edhe ndërtimi i një impianti biologjik për trajtimin e ujërave të zeza, trajtimin e shtretërve të tjerë të lumenjve, investime në KRU “Gjakova” për furnizim më të mirë me ujë të pijshmëm, si dhe projekte të tjera mjedisore. Pas diskutimeve në Komunë, bashkë me ministrin vizituam vendin ku planifikohet ndërtimi i Sheshit Qendror, si dhe vizituam fabrikën “Osa Termosistem” në Rahovec, e cila prodhon pajisje të shumta teknologjike për industrinë ushqimore. Në cilësinë e kryetarit të Rahovecit, falënderoj ministrin Kuçi, ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe Qeverinë e Kosovës në përgjithësi për mbështetjen e projekteve që lehtësojnë dhe përmirësojnë cilësinë e jetës të qytetarëve tanë”, thuhet në njoftim.

Reklama