Kthehen besimtarët rahovecas nga Qerbelaja e Irakut, organizohet pritje madhështore – Video

Ishin minutat e para të ditës së sotme kur arriti në qendër të qytetit të Rahovecit autobusi me besimtarët anadrinas, që vizituan vendet e shenjëta në Qerbela / Irak e që kanë lidhshmëri me luftën e njohur të Qerbelasë ku ra dëshmor nipi i Pejgamberit Muhamed, Imam Hysejni dhe 71 besimtarët e tij më të afërt.

Me të hyrë autobusi në qendër të qytetit, filluan duartrokitjet e qindra besimtarëve që kishin lënë rehatinë në shtëpitë e tyre për të pritur vizitorët e Qerbelasë të cilët udhëhiqeshin nga zotnija e tij Haxhi Shejh Mehdi Shehu.

Ashtu si edhe gjatë vizitave në Qerbela, para kolonës së besimtarëve, ecnin dy flmurtarë që valvitnin flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të Kosovës.

Gjatë tërë kohës, derisa besimtarët nuk u futën në Teqenë e Shejh Iljazit, kolona shoqërohej me thirrjet; Zoti është më i madhi, S’ka Zot tjetër veç Allahut, Muhamedi është i dërguari i tij, etj.

Kjo pritje madhështore shënon fundin e vizitave në vendet e shenjëta në Qerbela, të realizuara nga besimtarët anadrinas.

Haxhi Shejh Mehdi Shehu, mësohet se u ka premtuar besimtarëve të tij vizita të tilla edhe viteve tjera në vendet ku kujtohet Imam Hysejni dhe dëshmorët tjerë të Qerbelasë.

Sakrificat e kësaj lufte të shenjtë janë më të mëdhatë dhe më të njohurat që ka përjetuar familja e Pejgamberit Muhamed e njohur si Ehlibejti.

Rikujtojmë se në kujtim të dëshmorëve të Qerbelasë, në fillim të muajit shtator, besimtarët e tarikateve fillojnë agjërimin dhjetëditor të njohur si agjerimi i Muajit Muharrem.

Reklama