Kryetari Latifi urdhëron drejtorët dhe punëtorët e administratës që parkingun e komunës t’ua lënë të lirë mërgimtarëvee

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka lëshuar një urdherëse përmes të cilës iu ndalohet drejtorëve të komunës dhe të gjithë punonjësve të administratës së komunës, që të mos parkojnë veturat e tyre personale në oborr, me qëllimin që vendi t’u lejohet mërgimtarëve për t’i kryer shërbimet e veta, të cilët vizitojnë Kosovën në këtë periudhë të vitit.

Po ashtu, sipas vendimit, parkingu i komunës do t’u lejohet falas të gjithë mërgimtarëve rahovecas.

Ky është njoftimi i plotë i Kryetarit Latifi:

Me rastin e festave të fundvitit, ju urojmë mirëseardhje të gjithë mërgimtarëve që kanë ardhur e po vijnë në vendin tonë!

Andaj, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për ta dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, unë si Kryetar i Komunës, lëshoj këtë:

U R DH Ë R E S Ë

Urdhërohen, drejtorët e drejtorive dhe të gjithë punonjësit e Administratës në komunën e Rahovecit, të cilët udhëtojnë me vetura personale, që nga data: 24 dhjetor 2019 deri me datë: 17 janar 2020, të mos i parkojnë veturat në oborrin e Komunës, për shkak të fluksit të mërgimtarëve të cilët vijnë në Komunë për ti marrë shërbimet e tyre.

Urdhërohet punonjësi i portës, që mërgimtarëve të cilët hyjnë në oborrin e Komunës me tabela të huaja dhe atyre të cilët kanë vetura private (me qira, të cilët identifikohen me ndonjë dokument përkatës që janë mërgimtarë), t’iu sigurohet parkingu falas në periudhën e cekur në pikën 1 të kësaj urdhërese.

Mërgimtarët janë pjesa jonë e çmuar të cilët ndër vite kanë kontribuar për luftën, për lirinë dhe për mirëqenien tonë socio-ekonimike, e ardhja e tyre i jep vlerë e jetë këtij vendi.

Urime festat e fundvitit dhe kalofshi pushime të mira në Kosovë!

Faleminderit!

SL

Reklama