Kryetari Latifi: Në Rahovec nuk kryhen punët me korrupsion dhe me intervenime

Në intervistën në T7, ku kryetari Smajl Latifi ishte i ftuar, ka thënë se në Komunën e Rahovecit punët nuk kryen me intervenime dhe korrupsion.

Ai ka folur për subvencionet me të cila Komuna i mbështetë fermerët rahovecas.

Ai ka thënë se në dhënien e këtyre subvencioneve nuk ka as intevenime dhe as korrupsion, ngase sipas tij, përveç arsyeve tjera, Komuna është përkujdesur që ta themelojë Komisionin për Mbikëqyrje të Zbatimit të Projekteve.

“Dhe te na në komunë s’ka intervenime. Pra nëqoftëse i kemi tash rreth 900 aplikantë për multikultivatorë, freza, gërshërë, shpërndarëse të plehut, makina mjelëse të lopëve, koshere për bletë, pyetja që i shtrohet fermerit në aplikacion është kjo: Nëqoftëse nuk do të mund ta merrje një multikultivator, çfarë do të kërkoje tjetër. Pra, nëse aplikacioni është i plotësuar, ne do të arrijmë që të gjithë fermerët t’i bëjmë përfitues. Pra nuk ka arsye për të intervenuar, dhe nuk ka asnjë fije korrupsioni. Madje, ne kemi krijuar një komision për mbikëqyrje të zbatimit të projekteve”, ka thënë ai në T7.

Ai ka thënë se Komuna ka arritur që të mbulojë një hapësire prej më shumë se 3 hektarëve me serra, të cilat janë dhënë si subvencion, ndërsa në vitin 2017, ishin dhënë vetëm 1 hektar e 14 ari serra.

“Kemi vepruar në drejtim të mbështetjes së fermerëve me serra. Pra kemi ndërtuar 117 serra me këtë kontratë që e kemi dhe nëse e krahasojmë me sipërfaqe, në 2017-ën kemi pasur 1 hektar e 14 ari, të mbuluar me serra, ndërsa tash kemi 3 hektarë e gjysmë. Do të kemi përsëri sivjet për serra të reja: 5 ari, 3 ari, 1 ari e gjysmë”, ka theksuar Latifi. /RahoPress/

Reklama