Kryetari Latifi nderon veteranët në Ditën e Veteranit, u ndanë mirënjohje dhe stemën e UÇK-së

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, e ka shënuar Ditën e Veteranit, duke bërë vizitë në zyret e OVL-së në Rahovec dhe në shtëpinë e kryetarit të OVL-së, Vajdin Berisha, të cilëve u ka ndarë mirënjohje për kontributin e sakrificën e tyre gjatë luftës.

Kryetarit Latifi, që ishte edhe vet pjesë e luftës së UÇK-së, ka thënë se veteranët iu bashkuan kauzës së çlirimit në kohët më të rënda që po kalonte Atdhue.

“Dita e Veteranit, që shënohet çdo 30 dhjetor, shërben për çdo vit si një datë përkujtimi, respekti e falënderimi i thellë për të gjithë ata që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohët më të rënda që po kalonte Atdheu ynë. Gatishmëria e çdo veterani për t’u sakrifikuar e për t’u shkrirë për liri, e ka dhe do ta ketë përjetësisht vendin e veçantë në historinë e kombit tonë. Sot, këtë datë e shënova duke vizituar drejtuesit e OVL të UÇK-së në Rahovec, ku në shenjë respekti për kontributin dhe sakrificën e tyre patriotike, u ndava një mirënjohje, për të evokuar më pas kujtime për luftën tonë të drejtë si dhe për bashkëluftëtaret tanë heronj e dëshmorë, që nuk janë më në mesin tonë”, ka shkruar Latifi.

Latifi, gjatë vizitës te Berisha, ka thënë se u ndje i gëzuar kur e pa që ishte në një gjendje më të mirë shëndetësore, pasi që ishte përballur me probleme shëndetësore gjatë muajve të fundit. Bashkë me kryetarin e OVL-së, Latifi ka thënë se kanë biseduar për mundësinë e përmirësimit të gjendjes së veteranëve.

“Vizitën e radhës e bëra në Drenoc, në shtëpinë e kryetarit të OVL të UÇK-së në Rahovec, Vajdin Berisha, të cilit i ndava po ashtu një mirënjohje, bashkë me stemën e gravuar të UÇK-së. Miku im Vajdini, ka një kohë të gjatë që është përballur me probleme të natyrës shëndetësore. U gëzova shumë që sot e gjeta në një gjendje më stabile shëndetësore dhe patëm rastin të bisedojmë për kushtet e veteranëve të luftës dhe punët e përbashkëta që mund t’i bëjmë në funksion të përmirësimit të gjendjes së tyre. Respekt dhe përkulje për sakrificën e çdo veterani të luftës. Vepra juaj madhështore jehoftë në përjetësi!”, ka shkruar Latifi.

 

Reklama