Kryetari Latifi me përplot aktivitete në nderim të të rënëve

Në nderim të të rënve për lirinë e vendit, kryetari i Komunës Smajl Latifi sot ka bërë homazhe në disa vende të Rahovecit.

Me rastin e Ditës së Shkollës “Sakip Bellaqa” në fshatin Potoqan i Epërm, Latifi ka bërë homazhe dhe nderime para bustit të dëshmorit Sakip Bellaqa si dhe ka marrë pjesë në organizimin e ditës së shkollës nga stafi dhe nxënësit e kësaj shkolle.

Gjithashtu, sot ai ka qenë prezent edhe në shkollën fillore “Sadedin Hajda” në Rahovec ku u shënua dita e shkollës.

“Urova nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë ditë të shënuar për të dyja shkollat si dhe për organizimin me program të pasur kulturor dhe artistik”, ka shkruar Latifi.

Homazhe për të nderuar dëshmorët Sabedin Hajda dhe Mexhit Mustafa, sot Latifi ka bërë edhe në Hamoc.

“Sot i përkujtojmë dëshmorët e atdheut, Sadedin Hajdën dhe Mexhit Mustafën, të rënë para 20 vjetëve në betejën e përgjakshme të Hamocit. Te heronjtë gjejmë shembullin e përkushtimit deri në vetëmohim. Përkulemi deri në gjunjë ndaj veprës së Sadedin Hajdës, vëlla i heroit të spikatur të luftës për liri Xhelal Hajda-Tonit. Sadedini dëshmon ruajtjen e vazhdimësisë dhe është tregues i traditës së pasur luftarake dhe liridashëse të familjes Hajda nga Rahoveci”, ka shkruar Kryetari Latifi.

Më pas, në afërsi të Celinës, kryetari i Komunës bërë homazhe te lapidari i dëshmorëve të lirisë, Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi.

Pas homazheve, pas u mbajt tubimi përkujtimor në Dejnë dhe u vendosën kurora lulesh te lapidari i dëshmorëve dhe martirëve nga fshati Dejnë.

“Milaimi dhe Xhevdeti, të dy bashkë janë gurë të çmuar nëmuret e kalasë së luftës për çlirimin e atdheut. Ata janë krenaria e fshatit Dejnë, janë shija e veçantë e batalionit tonë, janë rreze drite e trevës së Anadrinit, janë gjaku ynë që as nuk falet, as nuk shkelet. Pra, ata i dhanë peshë fshatit tuaj, i dhanë forcë e gjallëri luftës sonë, i dhanë jetë e shpresë jetës sonë, i dhanë emër të mirë batalionit të tretë”, ka shkruar ai. /RahoPress/

 

Reklama