Kryetari Latifi emëron Nora Boshnjakun drejtoreshë për Punët Inspektuese

Sot, kryetarit Smajl Latifi e ka emëruar Nora Boshnjakun drejtoreshë në Drejtorinë për Punët Inspektuese në Komunën e Rahovecit. Lajmin e ka konfirmuar vetë Boshnjaku, e cila ka thënë se ndjehet entuziaste për detyrën e re.

Boshnjaku është zotuar se do të punojë me nder dhe vendimet që do t’i marrë do të jenë të drejta dhe ligjore dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Komunës së Rahovecit. Po ashtu, ajo ka falënderuar edhe kryetarin Smajl Latifi për besimin e dhënë që ta udhëheqë këtë drejtori.

Boshnjaku ka shkruar:

Miq të dashur,

Angazhimin tim në Komunën e Rahovecit, do ta vazhdoj si drejtoreshë në Drejtorinë për Punët Inspektuese, pozitë në të cilën jam emëruar sot me vendim të kryetarit Smajl Latifi. Më duhet të them ndjehem e nderuar dhe entuziaste për angazhimin e ri që më pret në drejtori, por edhe e ngarkuar me përgjegjësi për punët që i kemi para vetes për t’i përfunduar, së bashku me stafin e komunës dhe drejtorisë.

Ju siguroj që do të punoj me nder dhe vendimet që do të merren do të jenë ligjore dhe të drejta si dhe për rezultat përfundimtar do ta kenë gjithmonë interesin e qytetarëve të komunës sonë. Do të jem bashkëpunuese dhe e afërt me secilin që ka interes të kontribuojë për të mirën e komunës dhe të gjithë qytetarëve.

Me këtë rast, e falënderoj përzemërsisht Kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi për besimin e dhënë, me të cilin kemi rrugëtuar bashkë në vitet e fundit. Qeverisja Latifi, është më e mira në historinë e Rahovecit dhe ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve të komunës, duke marrë një mbështetje të paparë në zgjedhjet e fundit lokale.

Kjo përkrahje kaq e madhe erdhi si rezultat i efikasitetit, transparencës, punës me nder dhe vendimeve të drejta të Kryetarit Latifi. Ky ritëm i punës do të vazhdojë me projekte të reja, në Drejtorinë për Punë Inspektuese dhe në të gjithë Komunën e Rahovecit.

Faleminderit për mbështetjen dhe na priftë e mbara!

Reklama