Kryeministri Kurti e Kryeparlamentarja Osmani së bashku bëjnë homazhe në Prekaz

Kryeministri i vendit Albin Kurti bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë filluar homazhet për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me një vizitë në Prekaz, tek kompleksi “Adem Jashari”.

Kryeparlamentarja Osmani tha se Prekazi është vendi simbol i atdhedashurisë dhe duhet të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme.“Ne sot ishim së bashku me kryeministrin, me anëtarë të qeverisë dhe të Kuvendit, për të kujtuar në këtë 12 vjetor të pavarsisë, komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë anëtarëve të kësaj familje që u flijuan që ne sot ta gëzojmë lirinë.

Është pikëirisht simbol i atdhedashurisë dhe si duhet të jetë vendi. Duhet të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Kurti, tha se Prekazi është kryeqytet i kryengritjes së popullit shqiptar.

“Bashkë me kryetaren e Kuvendit, me ministra e deputet, erdhëm në Prekaz në këtë kryeqytet të kryengritjes e të qendresës së popullit tonë, për të kujtuar dhe për të nderuar familjen Jashari. Babën Shaban dhe nënën Zahiden, Ademin e Adilen, Hamzën e Feriden, Zarifen me fëmijët e tyre dhe me familjen e gjerë, gjithsej 59 veta, të cilët luftuan dhe u sakrifikuan në një ngjarje të jashtëzakonshme që sot njihet sikur Epope e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti para gazetarëve.

Reklama