Krimet në Gjermani: Bandat nga Shqipëria në vend të tretë, ato nga Kosova në të gjashtin

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga krimi i organizuar në Gjermani, në vitin 2021 ka qenë dyfish më i lartë se një vit më herët. Nga 873 milionë euro në vitin 2020 ai u rrit në 2.2 miliardë euro në vitin 2021.

Kjo del nga Raporti Federal i Situatës për Krimin e Organizuar 2021, i cili u publikua të mërkurën në Berlin nga Ministria Federale e Brendshme dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale. Të ardhurat e kriminelëve në vitin 2021 kanë qenë 1.4 miliardë euro. Shumica e tyre vijnë nga tregtia e drogës, shkruan DW.

Sipas raportit, është shtuar edhe numri i hetimeve në sektorin e krimit të organizuar, nga 600 në 700. Ky shtim ka të bëjë me deshifrimin e platformave të komunikimit të koduar, sidomos EncroChat. Siç tregon raporti aktual, më shumë se një e katërta e të gjitha hetimeve të nisura në fushën e krimit të organizuar (187 hetime, 26.9 për qind) mund të gjurmohen në të dhënat e siguruara nga shërbimi i komunikimit EncroChat.

Falë deshifrimit të platformave të koduara, është rritur edhe numri i shqiptarëve dhe shtetasve kosovarë të organizuar nëpër banda kriminale, të cilët kanë qenë nën hetim për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Sikurse edhe në vitet e mëparshme raporti i BKA-së i ka rezervuar një faqe krimit të organizuar të shqiptarëve, prej ku rezulton se në vitin 2021 në Gjermani kanë qenë nën hetim rreth 40 banda të udhëhequra nga shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilave (36) është marrë me trafikun e lëndëve narkotike. Në katër rastet e tjera bandat janë marrë me krime tatimore, trafik ilegal të njerëzve, pastrim parash dhe krim ekonomik.

Kjo shifër i radhit shqiptarët sërish të tretët pas gjermanëve (261) dhe turqve (90) për nga numri e grupimeve të dominuara nga një etni. Në vendin e gjashtë janë shtetasit kosovarë, me 20 banda kriminale, pas rusëve dhe polakëve. Në fund të dhjetë shtetësive më të spikatura janë serbët me 14 banda.

BKA-ja quan grupime të dominuara nga një etni ato grupime që udhëhiqen nga një grup personash të një etnie të caktuar, pavarësisht se shumë bashkëpunëtorë mund të mos i përkasin të njëjtës kombësie. Si bazë për përcaktimin e kombësisë, BKA-ja merr vendin e lindjes. /DW