KQZ-ja paralajmëron se s’do të pranojë të shtunën votat nga diaspora

Edhe pse posta e shpejtë “DHL” kishte thënë se si pasojë e një problemi të shfaqur në Gjermani do të dorëzojë pako me vota nga jashtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shtunën, një ditë pas afatit ligjor, kjo gjë është paralajmëruar se do të refuzohet nga KQZ-ja.

Në një përgjigje për KOHËN, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se “sot përmbyllet periudha e votimit përmes postës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit”.

Ai ka thënë se deri më tani janë pranuar rreth 38 mijë e 339 pako.

“Pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara”, ka thënë ai.

Reklama