KOSTT: Reduktimet e rrymës do të jenë 8 me 2

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu, ka thënë se plani i reduktimeve i është dorëzuar KEDS-it dhe plani ka qenë të ketë reduktime dyorëshe çdo tetë orë.

“Mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë. Ka nisur dje nga ora 11:00, plani ishte 8:2. Dmth kemi kursyer diku 150 megavat. Nevoja për reduktim është rritur, ky plan nuk do të mjaftojë, shpresojmë të mos shkojmë në masë që reduktimet të mos rriten edhe më tej. Shpresoj të jetë më shkurtër. Realizimin e planit e bën KEDS-i”, ka thënë Kadriu në konferencë për media.

Ka pasur ankesa nga qytetarët e Kosovës për reduktime deri në 12 orë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë arsyet pse reduktimet kanë qenë më të gjata, është se ka pasur ngarkesa të shumta, pasi qytetarët nuk kanë hequr pajisjet kur kanë mbetur pa energji elektrike.

“Çfarë ka ndodhur në shumë raste, sipas KEDS-it, është se ka pasur dhjetëra trafo ku ka qenë e pamundur të rikyçet trafo për shkak të ngarkesës së lartë. Kjo ka ndikuar që kufizimet e planifikuara dyorëshe të zgjasin më tepër, pasi është dashur që të dalin ekspertët në terren. Kërkesa e KEDS-it dhe ekspertëve është që në momentin kur përjetoni reduktime është mirë përkohësisht të shkyçni pajisjet”, ka thënë Rizvanolli.

Reklama