Kosovari tregon se si u plaçkitë ai dhe familja e tij në Durrës

Qytetarët nga Kosova marrin rrugën për në Republikën e Shqipërisë çdo sezon veror për të kaluar pushimet në bregdetet shqiptare. 

Mirëpo, vjedhjet janë kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për pushuesit kosovar në plazh.

Sipas tyre, ka shumë raste kur ata humbin çantat apo sendet e tjera me vlerë gjatë qëndrimit në plazh apo edhe veturat u thyhen.

Një rast i tillë ka ndodhur javën e kaluar në bregdetin e Durresit.

Sinan Blakaj nga Vrella e Istogut për Indeksonline ka thënë se familjen e tij ditët e fundit të qëndrimit atje, është vjedhur derisa po qëndronin në plazh. 

“Familjen e kemi dërguar për pushime në Durrës. Ditën e fundit të javës së kaluar ata janë plaçkitur në plazh, tek çadrat. Motrës ia kanë vjedh telefonin bashkë me kuletë e gjëra tjera personale, ndërsa, djalit të saj, një qantë e krahut me lodra. Çdo vit shkojmë, kalojmë pushimet atje dhe me na ndodh kjo, nuk është aspak e mirë. Jo që është dëmtimi I madh, mirëpo, trishtimi dhe zhgënjimi që iu është prishur pushimi, nuk paguhet me pare”, ka thënë Blakaj. 

Ai ka treguar se rastin familjarët e kanë lajmëruar menjëherë në Polici, mirëpo, që kanë ardh me vonesë pas një ore. Ndërsa, thotë se as trajtimi nuk ka qenë i mirë. 

“Është mirë ta dinë njerëzit se si po na trajtojnë në pushime. E kanë lajmërua Policinë, kanë ardh me vonesë prej një ore, qaq respekt që kanë për pushuesit kosovar”, ka theksuar tutje Blakaj.

Mes të tjerash, ai ka treguar se edhe disa të afërm të tij që kanë qenë pothuajse në të njëjtin vend në bregdetin e Durrësit, janë plaçkitur.

“Pas tri dite, janë vjedh edhe dy çanta të tjera, të afërmeve të mi, thuajse në të njëjtin vend, ku ka qenë familja jem. Lutja ime është të kenë kujdes kur shkojnë pasi këto vjedhje po ndodhin vazhdimisht. E dhimbshme është kjo. Ne dërgojmë për pushime, dhe atje iu ndodhin këto gjëra, iu prishet pushimi”, ka thënë tutje ai. 

Policia e Shqipërisë gjatë sezonit të veres shton patrullimet në zonat turistike. Mirëpo, si duket, vjedhjet janë bërë shqetësim i përseritshëm, ku më së shumti pësojnë pushuesit nga Kosova

Reklama