Kosova ndër vendet e pakta të Evropës që s’ka marrë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID

Kosova radhitet ndër vendet që nuk ka marrë ende asnjë dozë të vaksinës anti-Covid. Në një listë të publikuar nga BBC-ja, ajo gjendet në mesin e vendeve evropiane që nuk është pajisur me vaksinë duke ngelur prapa të paktën 48 shteteve tjera në rajonin e Evropës të cilat tashmë kanë nisur vaksinimin.

Edhe pse nga Qeveria në detyrë është thënë në vazhdimësi se Kosova do të sigurojë vaksinat në shkurt të këtij viti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar se nuk ka marrëveshje me Pfizer, për të cilën deklaronte se e kishte. COVAX ka njoftuar se shpërndarja e vaksinave përmes këtij programi do të bëhet në intervalin kohor shkurt-maj, ndërsa kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka deklaruar se dozat e para të kësaj vaksine do të vijnë në mars.

Vendet tjera evropiane që s’kanë nisur vaksinimin janë: Armenia, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut dhe Vatikani.

Më shumë se 300 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit janë shpërndarë në më shumë se 100 vende mbarë botës.

Sidoqoftë ka dallim të madh në shpërndarjen e vaksinës në disa pjesë të botës.

Disa vende kanë siguruar dhe shpërndarë doza të mëdha të vaksinës në proporcion me popullsinë e saj, por disa të tjera janë ende nuk pritur që të ato të arrijnë.

Image

Reklama