Kosova ashpërson masat, rikthehet kufizimi i lëvizjes

Qeveria e Kosovës të shtunën, më 28 gusht, ka ashpërsuar masat kundër koronavirusit, pasi tha që situata epidemiologjike në vend është rënduar.

Masat pritet të hyjnë në fuqi të dielën, pas publikimit të vendimit dhe do të jenë në fuqi deri më 13 shtator.

Qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë më 13 shtator. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia kjo grupmoshë së fundmi është bërë edhe shpërndarës i virusit.

Sipas ministrit Vitia, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rëndë.

“Situata paraqet një ngritje enorme të rasteve të infektimit me COVID-19”, tha Vitia.

Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar për një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në ora 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme.

Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës.

“Kjo masë gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, tha Vitia.

Po ashtu, të gjith personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se pavarësisht se Kosova nisi e fundit në rajon fushatën e vaksinimit, ky proces po shkon mirë. Ai tha se deri më 6 shtator presin që në vend të arrijnë 650.000 doza të vaksinës.

Ndërkaq, ministri Vitia, gjatë një konference pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se Kosova, me ritmin aktual të vaksinimit, deri në fund të vitit do ta tejkalojë synimin e vaksinimit të 60 për qind të popullatës.

“Ky virus do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë, por vaksinimi nga mbron prej tij. Megjithatë, kemi parë se disa vende, përkundër vaksinimit masiv të qytetarëve efekti mbrojtës i vaksinave duke se është 7-8 muaj, pavarësisht se nuk ka studime të qëndrueshme në këtë drejtim. Prandaj, ne si Qeveri qysh tashmë jemi bërë gati për të siguruar dhe negociuar edhe dozën e tretë që ta kemi të gatshëm nëse paraqitet nevoja”, tha Vitia.

Të pavaksinuarit me COVID-19 apelojnë për imunizim

Vitia tha se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, spitalet janë mbushur, andaj janë shtuar edhe kapacitetet, ku aktualisht janë bërë 1.600 shtretër për pacientët me COVID-19.

Gjendja me pandeminë

Javëve të fundit, situata me pandeminë COVID-19 është përkeqësuar në Kosovë. Vetëm gjatë të shtunës, Kosova regjistroi 18 viktima dhe 1.891 raste të reja me koronavirus. Ndërkaq, në shtatë ditët e fundit, në vend janë regjistruar 107 viktima dhe 13.475 raste të reja.

Si pasojë e rritjes së rasteve, spitalet dhe klinikat që trajtojnë pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Sipas raportit të publikuar më 28 gusht, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar tha se 1.077 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në spital, ku 63 prej tyre janë në kujdes intensiv.

Ndërkaq, 944 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Reklama