Koronavirusi, ankthi i vdekjës, dhe polarizimi politik në Kosovë!

Shkruan: Esheref HAXHIU

Sipas teorisë së evolucionit, instinkti bazë i të gjitha specieve, përfshirë këtu edhe njeriun, është instinkti për mbijetesë. Për këtë arsye ushqimi dhe siguria fizike janë dy nëvojat themelore. Kjo mbase edhe e shpjegon paradoksin momental të njerëzve që presin në radhë (shumë afër njëri-tjetrit) për të blerë dhe siguruar sa më shumë ushqim, edhe pse mbijetesa e tyre nuk është duke u cenuar nga mungesa e ushqimit, por nga një virus i cili potencialisht shpërndahet pikërisht nëse njerëzit qëndrojnë afër njëri-tjetrit. Kjo mbase mund të duket shumë e habitshme kur e kujton faktin se njerëzit janë qënje e arsyeshme, por jo edhe aq e habitshme kur e kujton faktin se njerëzit, veҫmas në situata të krizave, udhëhiqen më shumë nga instinkti dhe pavetëdija a tyre.

Sipas evolucionisteve, instinkti për mbijetesë është shumë i rëndësishëm, mirëpo më e rëndësishme se sa mbijetesa jonë është vazhdimi i llojit tonë, përkatësisht instinkti i riprodhimit. Pra, në aspektin evolutiv, vazhdimi i llojit është shumë më i rëndësishëm se sa mbijetesa e vetës. Kjo nuk vlen vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët. Eksperimente dhe observime të shumta tregojnë që shumë kafshë janë në gjendje që të sakrifikojnë jetën e tyre për të mbrojtur të vegjëlit e tyre. Tek njerëzit, përcaktimi i llojit është edhe më i gjerë sa sa ai familjarë. Kështu për shembull i kemi rastet e ushtarëve të cilët janë në gjendje që të vdesin për vendin e tyre, në mënyrë që pasardhësit e entitetit të tyre të jetojnë të lirë dhe të sigurt në atë vend. Madje, jo vetëm për vendin dhe lirinë. Njerëzit janë në gjendje që të sakrifikohen edhe në emër të ndonjë ideje apo besimi të caktuar. Në funksion të instinktit për mbijetesë dhe vazhdim të llojit, njerëzimi gjatë rrjedhave historike ka krijuar, ndërtuar dhe zhvilluar mekanizma dhe sisteme të ndryshme shoqërore e politike, që mundësojnë realizmin e një jete të sigurt dhe me prosperitet. Mirëpo, njerëzit, për dallim nga speciet e tjera, për shkak të vetëdijës që kanë, paralel me mbijetesën, vazhdimisht janë preukopuar edhe me vdekjën si realitet i pashmangshëm i jetës.

Madje, sipas njërit prej themeluesve të ekzistencializmit, Soren Kierkegaard, ankthi i vdekjës është burim i të gjitha anktheve të tjera në jetë. Ndërkaq, antropologu, Ernest Becker, në librin e tij Mohimi i Vdekjës shpjegon përpjekjet jetësore të njerëzve për të mohuar vedekjën. Sipas Becker-it, njerëzit e bëjnë këtë duke u bërë pjesë e një realiteti simbolik, që sipas tij është superior karshi realitetit fizik. Njerëzit përpiqën që të krijojnë realitetin e tyre simbolik, pjesërisht duke krijuar diҫka që mendohet se do t’i mbijetoj kohës, edhe pasi që ata të kenë vdekur, dhe pjesërisht duke u bërë pjesë e simboleve, ideologjive, grupeve, religjioneve etj., që janë dukshëm më të mëdha se sa individi, dhe që mendohet se do të mbijetojnë edhe pasi që individi të ketë vdekur. Në këtë mënyrë, njeriu e siguron vazhdimësinë e vet simbolike edhe pasi që të ketë pushuar së ekzistuari fizikisht. Kjo është edhe njëra prej arsyeve që e shpjegon korrelacionin pozitiv në mes të papunësisë dhe deprivimit socio-politik me radikalizmin grupor e ideologjik. Për shkak se deprivimi socio-ekonomik dhe politik mund të qoj në depresion, ndërkaq në gjendje depresioni njerëzit e humbasin shpresën dhe vullnetin për të realizuar vetën e tyre. Prandaj, duke qenë se humbëset apo zvogëlohet shpresa për të realizuar vetën, shtohet nëvoja për t’u bërë pjesë e grupeve apo ideologjive të caktuara. Madje, aq më i madh që të jetë frustrimi në raport me mundësitë e realizimit të vetës, aq më e madhe dhe më e fuqishme mund të jetë edhe nëvoja e ndërlidhjes dhe identifikimit me ato grupe apo ideologji. Prandaj, pushtetet politike që privojnë njerëzit e grupimeve apo partive të caktuara politike për qasje të barabartë në sistem, natyrshëm krijojnë terren të përshtatshëm për radikalizimin e tyre. Në një masë të caktuar, kjo mbase edhe mund të shpjegoj polarizimin dhe radikalizimin aktual politik në Kosovë.

Mbi bazën e shpjegimeve të Kierkegaard-it dhe Becker-it është zhvilluar edhe teoria e menaxhimit të terrorit. Sipas kësaj teorie, njohuria për vdekjën si diҫka e pashmangshme dhe e paparashikuar, prodhon një lloj terrori në mendjën tonë. Këtë lloj terrori njerëzit përpiqën që ta tejkalojnë duke ndërtuar një vete më të lartë se sa ajo biologjike, apo duke përqafuar vlera, besime dhe simbole të ndryshme, që janë shumë më shumë se sa vetja e tyre biologjike. Deri më sot janë zhvilluar me qindëra hulumtime shkencore rreth teorisë së menaxhimit të terrorit, që e shpjegojnë ndërlidhjen e kësaj teorie me aspekte të ndryshme të jetës, nga niveli shëndetësor deri tek ai politik. Sa i përket nivelit politik, për shembull, një nga konstatimet e studiuesve të kësaj fushe është se popullariteti i liderëve të caktuar shënon rritje në kohë krizash. Kjo për shkak se në kohë krizash, qofshin ato të natyrës së luftës apo pandemisë, njerëzit përballën më shumë me ankthin e vdekjës. Kështu ka ndodhur me rastin e ish presidentit të SHBA-së, Gjorgj Bush, popullariteti i të cilit është rritur për 50 përqind pas sulmeve të 11 Shtatorit në 2001. Raste të tilla në politikë ka të shumta. E tillë ka qenë edhe ardhja në pushtet e Adolf Hitlerit, i cili e shfrytëzoj gjëndjen e rëndë shoqërore, politike dhe ekonomike të Gjermanisë së pas Luftës së Parë Botërore.

Pra, në sistemet politike, duke qenë se grupet, partitë, por edhe ideologjitë zakonisht kanë edhe prijësit (liderët) e tyre, në kohë krizash, përveҫ se forcohet lidhja me grupe apo ideologji të caktuara, fuqishëm forcohet edhe lidhja me liderin e atij grupi apo të asaj ideologjie. Në radhë të parë kjo ndodh për shkak se në kohë të ngarkesës së vazhdueshme psikologjike dukshëm zvogëlohet fleksibiliteti i të menduarit tonë. Në radhë të dytë, kriza e prodhuar mund të perceptohet edhe si kërcënim për autoritetin e grupit, liderit, apo ideologjisë sonë, kështu që ne angazhohemi në mbrojtje dhe forcim të tyre. Për shkak se, duke i mbrojtur ata apo ato, ne simbolokisht e mbrojmë vetën tonë.

Për të kuptuar edhe më thellë këtë fenomen, mund t’i përdorim gjurmimet e psikanalizës, respektivisht të themeluesit të saj, Sigmund Frojd. Dihet botërisht që, sipas Frojdit, baza determinuese e psikës dhe personalitetit tonë është femijëria e hershme. Sipas tij, gjatë fëmijërisë së hershme ne kalojmë në pesë stade të zhvillimit psikoseksual, ndërkaq në stadin e tretë, respektivisht në stadin fallik, që rëndom ndodh nga mosha 3 deri në 6 vjeҫ, përjetojmë disa dëshira dhe fantazi të cilat i shtypim në pavetëdije nga frika se mos ato dëshira dhe fantazi do të diktohen nga prindërit tanë. Këtë lloj traume fëmijërore Frojdi e quan kompleks i Edipit (bazuar në mitologjinë e mbretit Edip), që ndodh tek meshkujt, dhe kompleksi i Elektrës, që ndodh tek femrat. Gjatë kësaj kohe, sipas Frojdit, ne edhe i xhelozojmë edhe i hyjnizojmë prindrit tanë, dhe fokusi është tek ata të gjenisë së njëjtë. Kjo ambivalencë e ndjenjave, zilia kundrejt hynjizimit, prodhon një distres psikologjik, kështu që fëmija i shtyp në pavetëdije ndjenjat e zilisë dhe i favorizon ato të hyjnizimit të prindërit. Si fëmijë ne jemi të prirur që ta shohim prindërin tonë si shumë të fortë fizikisht, shumë të ditur, kompetent dhe madhështor. Mirëpo, kur të rritemi, e shohim se prindi ynë është po aq normal se sa të gjithë prindërit e tjerë, e po aq normal se sa edhe vet ne. Kuptimi i këtij realiteti prodhon një lloj dëshpërimi tek ne, dhe pavetëdijshëm zhvillojmë mekanizmin e zëvendësimit të autoritetit të prindërit tonë me një autoritetet tjetër më të lartë. Në këto raste njerëzit rëndom përqafojnë autoritetin e Zotit, të ndonjë figure historike, apo edhe të ndonjë lideri aktual politik. Me fjalë të tjera, autoriteti i përqafuar shërben për ta zëvendësuar autoritetin e vanitur të prindërit, që gjatë fëmijërisë sonë ka qenë shumë i fuqishëm. Për këtë arsye ky autoritet politik është i “pagabueshëm” dhe vështirë i kontestueshëm, veҫmas në kohë të krizave.
Në situatat e krizave shoqërore, që rëndom prodhojnë edhe kriza psikologjike, trauma dhe stresi shkon duke u rritur. Aq më shumë që thellohët kriza psikologjike, aq më regresive dhe infantile bëhet mendja e jonë. Pra, krizat psikologjike e aktivizojnë mekanizmin e regresionit që shpie në infantilizëm. Në gjendje infantile ne jemi të prirur që t’i përdorim mekanizmat mbrojtës të ngjashëm me ata të kohës së fëmijërisë. Në fëmijëri, kur ne frikësohemi, mbrojtjen dhe shpëtimin e kërkojmë tek prindërit. Si të rritur, mbrojtjen dhe shpëtimin jemi të prirur ta presim nga autoritetet e tjera zëvendësuese që i kemi përqafuar, qoftë më parë, qoftë në kohë të krizës.

Pra, është mëse e kjartë që krizat shoqërore e politike, e veҫmas si kjo me koronavirusin, krijojnë parakushte për polarizim dhe popullizëm politik. Mirëpo, ҫështja është se kush do të angazhohet për minimizimin dhe kush për shfrytëzimin dhe maksimizimin e këtyre rrethanave. Si ҫdo herë tjetër në histori, edhe sot ka dhe do të vazhdoj të ketë makiavellistë në politikë, të cilët besojnë se qëllimet i arsyetojnë mjetet. Mirëpo, si asnjëherë më parë, sot është koha për më shumë moral politik tek politikanët, dhe për më shumë vetëdije politike tek qytetarët. Radikalizmi, polarizimi dhe popullizmi politik, përveҫ se nuk garantojnë asnjë të ardhme, janë rrezik serioz për kthim mbrapa.

Reklama