Korenica incizon qytetarët tinëz si agjent sekret, reagon aktivisti i vjetër i VV-së

Ditë më parë kandidati i VV-së për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, ka shkaktuar një skandal, duke incizuar pa lejen e tyre dhe fshehurazi, sikur të ishte agjent sekret, qytetarët e fshatit Fortesë gjatë takimeve me ta.

Ky veprim i pashembullt për një kandidat që synon të bëhet kryetar komune, ka shkaktuar nervozë e irritim të qytetarëve që ranë viktimë e këtij veprimi, por edhe të shumë qytetarëve anembanë Rahovecit.

Reagime ka pasur edhe mes anëtarëve dhe mbështetësve të Vetëvendosjes në Rahovec, të cilët nuk e kanë aprovuar veprimin e Korenicës, i cili ka prerë në besë qytetarët që ia kanë besuar pak minuta të kohës së tyre politikanit që kishte dal në gjah votash.

Një prej aktivistëve të hershëm të Vetëvendosjes në Rahovec dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Durim Elshani, e ka quajtur oportunizëm veprimin e Korenicës. Ai ka thënë se incizimi i një personi pa dijeninë e tij, është shkelje e rëndë e etikës dhe konsiderohet vepër penale.

“Ne në sociologji por edhe në shumë disiplina shkencore e mësojm që me e inqizu dikë pa e vënë në dijeni se po inqizohet është shkelje e rëndë e etikës, e në kodin penal përcaktohet si vepër penale. Poashtu edhe politikë pa etikë nuk ka siç na thotë edhe Ukshin Hoti. Si studjues shpeshherë respodentit i kërkojmë ta nënshkruan një deklaratë që po merrë pjesë në punën tonë me vullnet të lirë, dhe që ai ka të drejtë kur të dëshirojë ta ndërprej intervistën e t’i tërheq fjalët që i ka thënë”, ka thënë Elshani.

“Ndërsa me e inqizu dikë tinës, dhe fatkeqësinë e tij me përdorë për interesa tona është Oportunizëm”, ka shtuar ai.

Korenica, mbetet politikani prijës nga komuna e Rahovecit për prodhimin e skandaleve. Incizimi në pabesi i qytetarëve, është skandali i fundit i tij.

 

Reklama