Komunat kërkojnë heqjen e orës policore

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga u.d. e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, heqjen e orës policore dhe mosmbajtjen e maskës kur një person është duke ecur vetëm, në prag të masave të reja anti-COVID që pritet të merren për dy javët e ardhshme.

AKK-ja përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se gjithashtu kanë kërkuar që më datën 18 tetor (një ditë pas zgjedhjeve të 17 tetorit – ditën e zgjedhjeve lokale) të mos mbahet mësimi, por të dezinfektohen shkollat meqë aty pritet të mbahen votimet dhe atë me buxhet të siguruar nga niveli qendror për komunat meqë mjetet komunale në shërbime dhe mallra janë në limite të vogla.

Poashtu u kërkua që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona, por duhet të jenë të gjithë të vaksinuar, ndërsa është kërkuar gjithashtu të vazhdojë furnizimi me barna esenciale.

Por ministrja Gexha ka thënë se vlerësimi i përgjithshëm është që masat që janë në fuqi të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme sidomos tani që ka filluar shkolla dhe është fushata për zgjedhjet lokale me 17 tetor.

Sa i përket vaksinimit, ministrja Gexha informoi kryetarët e Komunave se deri tani për moshat mbi 16 vjet janë vaksinuar 67.5% e popullatës me dozën e parë dhe 47.6% me dozën e dytë.

Në anën tjetër, sipas MSH-së ka një rënie dhe stabilizim të situatës me infeksionet dhe përhapjen me virusin e pandemisë COVID-19.

Reklama